Aktorja e njohur kosovare, Gresa Gashi, ka ndarë një mesazh të mbushur me nostalgji dhe emocion për ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, në prag të shpalljes së verdiktit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gashi publikoi një fotografi të vjetër ku shfaqet krah Veselit, duke kujtuar kohën kur ata punuan së bashku në serialin popullor “O sa mirë”. Ajo ka theksuar se me kalimin e viteve, imazhi ka fituar një peshë dhe kuptim të veçantë për të.
“Para disa vitesh pata kënaqësinë të luaja përkrah teje në serialin ‘O sa mirë’. Me kalimin e kohës, kjo fotografi morri krejt tjetër peshë. Sot e shikoj me mall, me emocion e mbi të gjitha, me shpresë. Uroj me gjithë shpirt që shumë shpejt kjo buzëqeshje të mos mbetet vetëm kujtim në një fotografi, por të kthehet mes nesh, aty ku i takon,” shkroi Gashi në postimin e saj.
Ky reagim vjen në një periudhë delikate për Kosovën, teksa vendi pret vendimin e Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pritet që më 16 shtator, trupi gjykues të shpallë aktgjykimin për ish-udhëheqësit si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, pas një procesi të gjatë gjyqësor.


