Këngëtarja e njohur Ariana Grande dhe aktori Ethan Slater i kanë dhënë fund lidhjes së tyre romantike, pas një periudhe trevjeçare së bashku. Lajmi është konfirmuar nga burime pranë ish-çiftit, të cilat për mediat amerikane kanë bërë të ditur se vendimi për ndarjen është marrë qetësisht disa muaj më parë, pa tërhequr vëmendjen e publikut.
Aktualisht, Ariana Grande po përqendrohet në angazhimet e saj profesionale, duke përfshirë menaxhimin e turneut të ri muzikor “Eternal Sunshine” dhe përgatitjet për albumin e ri studior “Petal”, i cili pritet të publikohet më 31 korrik. Raportohet se këngët e reja nuk kanë lidhje apo frymëzim nga ndarja e fundit.
Lidhja mes Grande, 32 vjeçe, dhe Slater, 34 vjeç, nisi gjatë xhirimeve të projektit kinematografik “Wicked”. Në atë kohë, të dy artistët po përmbyllnin martesat e tyre të mëparshme; Grande ishte e martuar me Dalton Gomez, ndërsa Slater me Lilly Jay, me të cilën ka një djalë, Ezra.
Fillimi i kësaj romance pati ngjallur reagime publike, veçanërisht nga ish-bashkëshortja e Slater. Në qershor 2023, Lilly Jay u shpreh publikisht se “Ariana është historia e vërtetë këtu. Nuk është vajzë që mbështet vajzat. Familja ime është thjesht dëmi anësor.” Megjithatë, njerëz pranë rrethit të ngushtë të çiftit sqaruan se marrëdhënia kishte filluar vetëm pasi Ethan Slater kishte ndërprerë zyrtarisht bashkëjetesën me ish-bashkëshorten e tij prej dy muajsh.
Gjatë tre viteve të lidhjes, Grande dhe Slater u përpoqën ta mbanin jetën e tyre private larg vëmendjes së mediave, duke bërë vetëm disa postime të rralla në rrjetet sociale. Në nisje të turneut të saj në Oakland, Ariana Grande u shfaq e qetë, duke bërë edhe disa batuta me jetën e saj të kaluar bashkëshortore gjatë interpretimit të këngës “Thank U, Next”, e cila u dedikohet ish-partnerëve të saj si Pete Davidson, Big Sean dhe Mac Miller.


