Stabiliteti politik dhe institucional në Kosovë ka shënuar një progres të rëndësishëm, falë votimit të presidentit dhe miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, theksoi se meritat kryesore për këto arritje i takojnë kryeministrit Albin Kurti, i cili luajti një rol vendimtar në këtë proces.
“Ky proces ka përfunduar me sukses, duke krijuar një stabilitet të nevojshëm për vendin. Meritat kryesore i takojnë z. Kurti, i cili ka bërë gjithçka për ta arritur këtë,” deklaroi Dugolli në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Lidhur me rolin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në këtë situatë, Dugolli shprehu shqetësim për qasjen e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili refuzoi takimet. Megjithatë, ai vlerësoi pozitivisht kontributin e deputetëve të PDK-së që votuan. “PDK duket se e kuptoi situatën, ndoshta sepse nuk kishte më opsione. Moskomunikimi dhe mostakimi ishin shqetësuese për qytetarët. Merita i takon të gjithë deputetëve që morën pjesë në seancë dhe votuan për këto dy pika,” tha ai.
Ndërkohë, mijëra qytetarë protestuan para Kuvendit, duke kërkuar miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, protesta këto që filluan më 16 shtator. Dugolli mohoi kategorikisht se qeveria iu nënshtrua presionit të protestave për të pranuar kushtet e PDK-së. Ai theksoi se Albin Kurti e respekton të drejtën e protestës, por nuk pranon të veprojë nën presion.
“Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit e njeh më shumë se kushdo tjetër të drejtën e protestës, por është e rëndësishme të kuptohet se nuk është njeri që i nënshtrohet presionit. Duhet të ketë një vullnet për të gjetur zgjidhje dhe për të adaptuar kërkesat e protestuesve,” përfundoi Dugolli.
Ligji për Dhomat e Specializuara u miratua në lexim të dytë të martën, ndërsa pak pas mesnatës u zgjodh edhe presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula.
