Aleksander Ceferin, kreu i UEFA-s, ka hedhur poshtë çdo spekulim për një kandidaturë të mundshme për presidencën e FIFA-s në zgjedhjet e vitit 2027. Në një intervistë për podkasti britanik “The Rest is Politics”, Ceferin theksoi se fokusin e tij kryesor e ka UEFA-n, organizatën që ai drejton që nga viti 2016.
“Nuk jam i interesuar për presidencën e FIFA-s. Më pëlqen UEFA dhe puna që bëj atje”, ka deklaruar Ceferin, duke shtuar se integriteti i tij si kritik i presidentit aktual të FIFA-s, Gianni Infantino, është më i vyer se sa çdo ambicie për këtë post.
Ceferin, 58 vjeç, ka qenë një kritik i zëshëm i Infantino, veçanërisht pas dështimit të planit të këtij të fundit për tërheqjen e investitorëve privatë në organin drejtues të futbollit botëror. Ai shprehu shqetësimin për besueshmërinë e FIFA-s nën drejtimin aktual.
Duke folur për të ardhmen e Infantino, Ceferin sugjeroi se presidenti aktual mund të mos ketë mbështetjen e nevojshme për një mandat të ri. “Mundësia e parë është që ai të kuptojë se nuk ka mbështetje të mjaftueshme për rizgjedhje“, tha ai. Ceferin gjithashtu la të hapur mundësinë e një kandidati kundër Infantino, edhe pse nuk specifikoi kush mund të jetë ky person.
Presidenti i UEFA-s ka konfirmuar se nuk ka pasur komunikim me Infantino që nga fillimi i krizës. Ndërkohë, UEFA nën udhëheqjen e tij ka marrë masa duke bojkottuar garat e FIFA-s, duke kërkuar dorëheqjen e Infantino.
Situata në FIFA mbetet e tensionuar, ndërsa Ceferin duket i vendosur të mbrojë integritetin e futbollit evropian, duke u fokusuar në forcimin e UEFA-s dhe duke shmangur përfshirjen në polemika të mëtejshme me organin botëror.


