Ish-finalisti i njohur i spektaklit ‘Big Brother VIP Kosova’, artisti Blerando, ka bërë një hap të rëndësishëm në jetën e tij private duke zyrtarizuar lidhjen me partneren e tij, sipërmarrësen Lena Krasniqi. Pas muajsh të tërë spekulimesh në rrjetet sociale, çifti ka vendosur të kurorëzojë dashurinë e tyre me martesë.
Ceremonia civile, sipas informacioneve të siguruara nga burime të afërta, është zhvilluar sot në Komunën e Prishtinës. Madje, ka qenë vetë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ai që ka kryesuar këtë martesë. Një nga burimet konfirmoi: “Po, është e vërtetë. Blerando dhe Lena janë kurorëzuar sot në Komunën e Prishtinës nga i pari i kryeqytetit, Përparim Rama”.
Për të konfirmuar publikisht këtë lidhje, Blerando ka ndarë një fotografi emocionuese me ndjekësit e tij në Instagram. Në imazhin e publikuar, ai shihet krah bashkëshortes së tij, Lena, teksa shijojnë bukurinë e Toskanës në Itali, duke lënë të kuptohet për një udhëtim romantik pas ceremonisë.
Tani mbetet për t’u parë nëse çifti i ri do të ndajë më shumë detaje nga jeta e tyre bashkëshortore apo do të vazhdojnë të ruajnë një profil të ulët mediatik, siç kanë bërë deri më tani.


