Moderatori i njohur shqiptar, Bledi Strakosha, ka rrëfyer publikisht përballjen e tij me një sfidë shëndetësore serioze, që e mbajti për 12 ditë nën kujdesin e mjekëve. Në një intervistë emocionuese për emisionin “Rudina”, Strakosha ndau detaje nga kjo periudhë e vështirë, duke filluar nga simptomat fillestare deri te diagnoza dhe operacioni që i shpëtoi jetën.
Të gjitha filluan një natë vonë, kur një dhimbje e fortë koke, që fillimisht u lokalizua në ballë dhe më pas u përhap në të gjithë kokën dhe qafën, e shqetësoi moderatori. Pavarësisht se mjekët e parë në shtëpi nuk e cilësuan rastin si urgjent, Strakosha vendosi të kërkojë ndihmë mjekësore në spital. Pas analizave të thelluara dhe një skaneri me kontrast, u zbulua shkaku i dhimbjes: një hemorragji cerebrale.
Pas ndërhyrjes kirurgjikale, Bledi Strakosha shprehet mirënjohës dhe me fat që i shpëtoi jeta, duke e cilësuar këtë përvojë si një “jetë të dytë”. Ai thekson se ngjarja e ka bërë të reflektojë thellësisht mbi rëndësinë e shëndetit dhe se si jeta mund të ndryshojë tërësisht brenda pak orësh.
Moderatori ka vendosur ta ndajë historinë e tij me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi neglizhencën ndaj simptomave të pazakonta. “Shpesh mendojmë se do të kalojë duke pirë një paracetamol, por disa simptoma duhet t’i marrim seriozisht,” paralajmëron Strakosha, duke shtuar se edhe ai vetë u nxit nga motra e tij për të shkuar në spital.
Kjo përvojë e ka motivuar moderatori të ndërmarrë ndryshime rrënjësore në stilin e tij të jetesës, duke përfshirë lënien e duhanit, një zakon që e ka shoqëruar që nga mosha 18-vjeçare, dhe angazhimin për një jetë më të shëndetshme.


