Pas viteve të tëra spekulimesh rreth lidhjes mes motrave Besa dhe Dafina Zeqiri, Besa ka vendosur të sqarojë publikisht raportin e saj me këngëtaren e njohur. Në një intervistë të dhënë pas lansimit të projektit të saj më të ri muzikor, Besa foli pa dorashka për marrëdhënien familjare, duke theksuar se dashuria dhe respekti mes tyre kanë qenë gjithmonë të forta.
Ajo tregoi se diferenca e vogël në moshë ka ndikuar në krijimin e një lidhjeje të veçantë dhe të ngushtë, e cila vazhdon të jetë e pandryshueshme edhe sot, pavarësisht angazhimeve dhe jetëve të ndara.
Më e diskutuar ishte deklarata e Besës ku ajo shprehu gatishmërinë e plotë për të ndihmuar motrën. “E respektoj dhe e dua motrën time pafund. Nëse nesër marr një telefonatë ku dikush më thotë ‘motrës tënde i duhet një veshkë’, unë jam aty për t’ia dhënë”, tha ajo.
Besa gjithashtu komentoi pjesëmarrjen e saj në dasmën e Dafinës, duke e cilësuar si një kujtim pozitiv dhe një moment të bukur familjar, duke hedhur poshtë kështu zërat për marrëdhënie të ftohta mes tyre. Pavarësisht rrugëtimeve të ndryshme jetësore, ajo konfirmoi se lidhja motërore mbetet e fortë dhe mbi të gjitha.
