Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka konfirmuar se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, do të fillojnë bisedimet për formimin e institucioneve të reja.
Në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse”, Kurti theksoi se Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse nuk i dëshiroi zgjedhjet e fundit, është e kënaqur me rezultatin e dalë, duke e konsideruar si fitoren e pestë të subjektit të tij brenda shtatë viteve.
“Na u imponuan zgjedhjet. Ne nuk i donim. Por ne jemi përsëri në krye. Kjo është fitorja jonë e pestë në shtatë vitet e fundit. Tani kemi 43 për qind, por ende pa votat e diasporës”, ka deklaruar Kurti.
Ai shtoi se formimi i institucioneve do të bëhet pas verifikimit të votave.
“Jemi në pritje të rezultatit përfundimtar dhe më pas do të hyjmë në bisedime me partitë tjera. Herën e fundit kishim deputetë nga të gjitha grupet etnike në qeverinë tonë. Dhe jam i sigurt se do të mbetet kështu”, ka përfunduar Kurti.


