Në ceremoninë e hapjes së Konferencës së parë ndërkombëtare për cilësinë e shërbimeve shëndetësore, të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Shiroka-Pula theksoi se pacientët presin të marrin shërbimin e duhur në kohën e duhur dhe të trajtohen me dinjitet.
Ajo tha se cilësia në shëndetësi matet me pajisje moderne dhe infrastrukturë, por mbi të gjitha me profesionalizmin e personelit shëndetësor dhe rezultatet e shërbimeve.
“Cilësia në shëndetësi matet edhe me pajisje moderne apo infrastrukturë. Por mbi të gjitha, matet me trajtimin e pacientëve, profesionalizmin e personelit dhe rezultatet e shërbimeve shëndetësore”, tha Pula.
Ajo vlerësoi se motoja e konferencës “Investojmë në cilësi, ndërtojmë besim” përcjell mesazhin se besimi i qytetarëve në sistemin shëndetësor ndërtohet përmes shërbimeve të sigurta dhe cilësore.
“Secili pacient duhet të ketë qasje në shërbime shëndetësore cilësore, të sigurta dhe dinjitoze. Në këtë drejtim, vlerësoj kontributin e rëndësishëm të Zvicrës, e cila nëpërmjet mbështetjes së saj vazhdon zhvillimin e sektorit të shëndetësisë në Kosovë. Faleminderit që vazhdoni të jeni krah nesh. Projektet për kujdesin shëndetësor cilësor dhe të qasshëm, si dhe shërbimet e integruara shëndetësore, dëshmojnë rëndësinë e këtij bashkëpunimi. Ato kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në nivelet parësor, dytësor dhe terciar. Jam e bindur se ky eveniment do të shërbejë si hapësirë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, ideve dhe praktikave të mira”, tha Shiroka-Pula.
Ndwrsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm shëndetësor nuk varet vetëm nga investimet në infrastrukturë, pajisje dhe teknologji, por mbi të gjitha nga ofrimi i shërbimeve të sigurta dhe profesionale, të përqendruara te nevojat e pacientëve.
“Cilësia nuk është vetëm një standard që duhet të arrihet, por është një përkushtim i vazhdueshëm i gjithë juve të pranishëm dhe jo vetëm, ndaj pacientit dhe ndaj profesionit dhe natyrisht e gjithë kjo rrugë ka shumë sfida”, ka thënë Vitia.
Ai theksoi se zhvillimi i sistemit shëndetësor kërkon bashkëpunim ndërinstitucional dhe partneritete ndërkombëtare, pasi asnjë vend nuk mund t’i përballojë i vetëm sfidat në këtë sektor.
Vitia:Një sistem i qëndrueshëm shëndetësor ndërtohet jo vetëm nga investimet në infrastrukturë
“Një sistem i qëndrueshëm shëndetësor ndërtohet jo vetëm nga investimet në infrastrukturë, pajisje dhe teknologji, por mbi të gjitha në shërbimet e sigurta, profesionale dhe të përqendruara te nevojat e pacientëve”, tha Vitia.
Ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, tha se shëndetësia ka qenë prej kohësh një nga fushat kryesore të bashkëpunimit ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.
Ajo theksuar se përveç qasjes në kujdes shëndetësor, qytetarët duhet të kenë mundësi të marrin shërbime të sigurta, efektive dhe në përputhje me nevojat e tyre.
“Për Zvicrën, shëndetësia ka qenë prej kohësh një fushë e rëndësishme e bashkëpunimit me Kosovën. Ne besojmë se qasja në kujdesin shëndetësor është thelbësore, por vetëm qasja nuk mjafton. Njerëzit duhet gjithashtu të jenë në gjendje të mbështeten në shërbime që janë të sigurta, efektive dhe që u përgjigjen nevojave të tyre.
Përmes bashkëpunimit tonë afatgjatë, veçanërisht përmes projekteve për kujdesin shëndetësor cilësor dhe të qasshëm, si dhe shërbimet e integruara shëndetësore, Zvicra ka mbështetur përpjekjet e Kosovës për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe promovimin e një kalimi drejt një kujdesi më të orientuar nga pacienti, ku shërbimet organizohen në përputhje me nevojat e pacientëve”, tha ajo.
Ambasadorja zvicerane ka theksuar se përmirësimi i cilësisë në shëndetësi nuk nënkupton vetëm përcaktimin e standardeve dhe procedurave, por edhe krijimin e një kulture ku përgjegjësia për cilësinë ndahet nga të gjithë profesionistët dhe institucionet shëndetësore.
“Në qendër të këtyre përpjekjeve ka qenë zhvillimi i sistemit të menaxhimit të cilësisë. Duke punuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë, institucionet shëndetësore dhe profesionistët, këto përpjekje kanë kontribuar në forcimin e standardeve të cilësisë, kapaciteteve institucionale dhe mekanizmave për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore. Megjithatë, përmirësimi i cilësisë shkon përtej përcaktimit të standardeve dhe procedurave. Bëhet fjalë për ndërtimin e një kulture në të cilën cilësia bëhet përgjegjësi e secilit, nga politikëbërësit dhe menaxherët shëndetësorë, deri te mjekët, infermierët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë” , tha ajo.
Ministrja Rizvanolli i paralajmëron qytetarët për çmimet e…
Tjetër incident me municionin turk, publikohet videoja kur…
Arben Vitia përballet nesër me interpelancë në Kuvend…
Prostitucion, drogë e poligon qitjeje afër vendit ku…
