Gara për drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) po merr gjithnjë e më shumë vëmendje, pasi disa nga figurat e njohura të kësaj partie kanë shprehur interesimin për të kandiduar për kryetar.
Diskutimet për të ardhmen e partisë janë intensifikuar ditëve të fundit, ndërsa përveç emrave që synojnë drejtimin e saj, në LDK po zhvillohet edhe debat për nevojën e reformave dhe ndryshimit të qasjes politike.
Një nga zhvillimet e fundit ishte konfirmimi i deputetes Hykmete Bajrami, e cila mbrëmë, në një paraqitje televizive, bëri të ditur se do të kandidojë për kryetare të LDK-së në zgjedhjet e ardhshme të brendshme.
Ajo tha se është e gatshme të hyjë në garë, pavarësisht kohës kur do të organizohet procesi zgjedhor.
“Është sekret publik që LDK-ja nuk është në ditët e saj më të mira. Dolëm nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm dhe raportet janë siç janë. Kam interesim dhe do të kandidoj për kryetare të LDK-së në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbahen”, deklaroi Bajrami.
Përparim Rama kërkon edhe dorëheqjen e Abdixhikut
Një tjetër emër që ka konfirmuar synimin për të marrë drejtimin e LDK-së është kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Më 22 tetor, ai bëri të ditur publikisht se do të jetë kandidat për kryetar të partisë, duke përmendur edhe rezultatin e tij në kryeqytet si dëshmi të mbështetjes politike.
“A e keni dëgjuar që kam thënë se po? Do të jem kandidat për kryetar të LDK-së. Jam dëshmuar në Prishtinë, jam rizgjedhur, e kam pru LDK-në të parën në Prishtinë”, kishte deklaruar Rama.
Përveç konfirmimit të kandidaturës, Rama kishte kërkuar edhe largimin e kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku.
“Mendoj që kishte bërë mirë me dhënë dorëheqje Lumir Abdixhiku. Ashtu duhet me bë”, ishte shprehur ai.
Edhe Arben Gashi synon drejtimin e partisë
Në listën e emrave që kanë shprehur ambicien për kryetar është edhe deputeti Arben Gashi.
Në një paraqitje televizive në emisionin “Politiko”, Gashi deklaroi se beson se i plotëson kushtet për ta marrë këtë përgjegjësi, duke përmendur përvojën, profilin dhe kontributin e tij në parti.
“Besoj që i plotësoj formalitetet dhe kushtet që i pata: ambicien, profilin e programin. Meqenëse s’jemi ende në atë fazë, por jemi në politikë për një kohë të konsiderueshme dhe kam kontributin tim, mendoj se ka ardhur koha t’i shoh mundësitë se si bashkërisht ta bëjmë LDK-në dhe Kosovën më të mirë. Mund ta thuash me zë të qartë dhe të lartë”, deklaroi Gashi.
Ndërkohë, edhe Armend Zemaj është përmendur në diskutimet për emrat që mund të përfshihen në garën e ardhshme, ndonëse kandidatura e tij nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Haziri: LDK-ja duhet të kthehet në shtëpinë e vet
Për zhvillimet brenda partisë ka folur edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili në një prononcim për Lajmi.net ka vlerësuar se emrat e përmendur janë kredibilë dhe meritorë.
Megjithatë, sipas tij, diskutimi për kryetarin e ardhshëm nuk duhet të jetë çështja e vetme që e preokupon partinë.
“Janë emra kredibil, janë emra meritor. Por, ajo që unë kam kërkuar është që LDK të kthehet në shtëpinë e vet. Duhet të merret me angazhime konkrete, që në vitin e fundit në fund të këtij mandati, duhet të merret me reforma të mëdha statutore, strukturore, të përgatit një ambient konkurrues, në mënyrë që të kthehet besimi dhe shpresa në LDK, si parti që duhet ta gjej rrugën për rikthim të madh politikë. Kjo është rrugën të cilën unë e shoh. Ky është dallim i vogël, që me debat të brendshëm mund të përballohet.”, tha Haziri.
Abdixhiku nuk planifikon të largohet para përfundimit të mandatit
Në anën tjetër, kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka dhënë sinjale për dorëheqje nga kjo pozitë.
Në deklarimet e tij publike, ai ka rikujtuar se mandati katërvjeçar përfundon më 19 nëntor 2027 dhe se zgjedhjet e rregullta të brendshme pritet të organizohen gjatë vitit të ardhshëm.
Abdixhiku ka theksuar se nuk e ka ndërmend të largohet para përfundimit të mandatit, duke rikujtuar edhe votëbesimin që kishte marrë nga delegatët në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë.
Zhvillimet e fundit vijnë pas një periudhe debatesh dhe mospajtimesh brenda LDK-së, ku janë ngritur zëra për ndryshime në udhëheqje dhe për një riorganizim të partisë.
Gara për kreun e LDK-së ende nuk është hapur zyrtarisht, por deklarimet e fundit tregojnë se përballja e ardhshme mund të përfshijë disa nga figurat më të njohura të kësaj partie.
Përtej emrave që synojnë kryesimin, sfida kryesore për LDK-në mbetet gjetja e një drejtimi të përbashkët politik, rikthimi i besimit të elektoratit dhe tejkalimi i përçarjeve të brendshme.
Derisa ende nuk dihet se kush do e udhëheq LDK-në në të ardhmen, mundësia që kësaj liste “kandiduese” t’i shtohen ende emra mbetet e hapur, teksa Abdixhiku qëndron i “bindur” se assesi s’duhet larguar, pavarësisht humbjeve të njëpasnjëve./Lajmi.net/
BQK njofton se ka aplikuar zyrtarisht për përfshirje të Kosovës në SEPA
Prattipati pret në takim gjeneralin amerikan Osborn në…
Vdes drejtori i NPL “Tregu” në Gjilan, Alban…
Inspektorati Qendror i Punës ndalon punimet në një…
