Lajmet e Fundit

Gjashtë vjet pritje: Mesazhi prekës i Altin Krasniqit për babain e tij

Nga · 4 min lexim
Shpërndaje: Facebook X WhatsApp Email

Sot, më 4 nëntor, shënohet një përvjetor i dhimbshëm: gjashtë vjet nga arrestimi i Jakup Krasniqit, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dhe dërgimi i tij në Hagë.

Me këtë rast, djali i tij, Altin Krasniqi, ka ndarë një mesazh emocional që pasqyron dhimbjen dhe mungesën që ndjen për babanë e tij, i cili ka kaluar gjashtë vjet larg familjes. Kjo periudhë ka qenë e vështirë për të dhe për të gjithë ata që e duan, duke theksuar se mungesa e tij është një nga dhimbjet më të mëdha që ata përjetojnë.

Altini ka shprehur se babai i tij e meriton të kalojë vitet e pleqërisë pranë familjes, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve familjare dhe dashurisë që ata ndajnë. Ai e përshkruan këtë mungesë si një barrë të rëndë, që e ndjen çdo ditë, duke e bërë atë të reflektojë mbi vitet e humbura që nuk mund të kthehen më.

Sponsorizuar
Fluturim Prishtinë – Stuttgart Fluturim Prishtinë – München Fluturim Prishtinë – Göteborg
Prishtinë → Stuttgart
Fluturim direkt · nisje çdo ditë
nga 99€
Rezervo tani →
Sponsorizuar
A po të gjejnë klientët në Google? — Trik Agency Plan 90-ditor për rritjen e shitjeve — Trik Agency
Merr analizën falas →

Babë, sot u bënë 6 vjet…

Shkruaj për këtë ditë është më e vështirë se kurrë. Herët e tjera, pavarësisht se sa e rëndë ishte pritja, ne mbaheshim me shpresë, duke besuar se një ditë do të kishte drejtësi dhe do të ktheheshe në shtëpi. Por pas 16 shtatorit, çdo gjë është bërë më e rëndë.

E di, babë, që koha po kalon dhe ti je duke u plakur. E di se sa e vështirë është të kalosh çdo ditë të mbyllur, larg familjes dhe njerëzve që të duan. Mungesa e viteve që nuk mund të kthehen më është ajo që më dhemb më së shumti. Ti ke merituar të kalosh pleqërinë pranë nesh, në shtëpinë tënde.

Ti e ke merituar të shijosh ditët pa brenga, të kesh qetësi dhe të jesh i rrethuar nga dashuria jonë, jo pas mureve që të ndajnë nga gjithçka që ke ndërtuar gjatë jetës.

Besomë, babë, nuk ka dhimbje më të madhe se sa të dish se njeriu yt po plaket larg teje. Do të doja të mund ta merrja këtë barrë mbi vete, por e vetmja gjë që mund të bëj është të të dua, të të pres dhe të mos humbas shpresën.

Çfarë të bëj, babë… Nganjëherë jeta është aq e padrejtë, sa të detyron të jesh i fortë edhe kur brenda teje je copë-copë. Ne do ta mbajmë kokën lart, sepse ti na ke mësuar të mos dorëzohemi dhe të mos harrojmë kurrë të vërtetën tonë.

Por dua ta dish një gjë, babë: asnjë ditë larg teje nuk do të na bëjë të mësohemi me mungesën tënde. Shtëpia nuk është e njëjtë pa ty. Çdo ditë që kalon, bashkë me shpresën për kthimin tënd, rritet edhe malli për një përqafim që po e presim prej shumë kohësh.

Sot bëhen gjashtë vjet, babë. Gjashtë vjet pritje, mall dhe lutje. E megjithatë, ne ende të presim. Ende shpresojmë se do të vijë dita kur kjo pritje do të marrë fund dhe ti do të kthehesh aty ku e ke vendin: në shtëpinë tënde, pranë nesh.

Nuk e di sa gjatë do të na duhet të presim, por e di se asnjë padrejtësi nuk mund ta shuajë dashurinë tonë për ty. Deri atëherë, mbaje kokën lart, babë. Ti nuk je vetëm në këtë rrugë, sepse në çdo hap tëndin janë zemrat tona dhe malli ynë.

Të duam pafund, babë.

Lexo gjithashtu

Shiko të gjitha →

Shkruani një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *