Në raportin e publikuar më 4 nëntor, BE-ja thekson se, ndonëse peizazhi medial në Kosovë vazhdon të jetë pluralist, mediat përballen me sfida të shumta, veçanërisht sa i përket transparencës së pronësisë dhe qëndrueshmërisë financiare.
Një prej shqetësimeve të evidentuara lidhet edhe me situatën në zonat e banuara me shumicë serbe, veçanërisht në veri të Kosovës. Sipas Komisionit Evropian, mjedisi në këto zona mbetet kufizues dhe nxit vetëcensurën te publiku, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile.
Raporti vëren gjithashtu se bordet e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) janë plotësuar kryesisht, por katër pozita në bordin e RTK-së vazhdojnë të jenë të paplotësuara. Po ashtu, BE-ja thekson se ligjet e reja për KPM-në dhe RTK-në ende duhet të miratohen.
Komisioni Evropian kërkon që institucionet e drejtësisë dhe organet e zbatimit të ligjit të rrisin kapacitetet për trajtimin e rasteve të dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medialë.
Në rekomandimet për Kosovën, BE-ja kërkon hartimin e protokolleve dhe organizimin e trajnimeve për sigurinë e gazetarëve, përfshirë mekanizma të paralajmërimit të hershëm dhe reagimit të shpejtë në rastet e kërcënimeve.
Gjithashtu, kërkohet nisja e një dialogu të strukturuar me përfaqësuesit e mediave, përmirësimi i kushteve të punës për gazetarët dhe forcimi i raportimit profesional.
Sa i përket legjislacionit, Komisioni Evropian kërkon miratimin e një Ligji të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave, në përputhje të plotë me legjislacionin dhe standardet evropiane.
Ndërsa për RTK-në, BE-ja kërkon rishikimin e ligjit përkatës, me qëllim sigurimin e financimit të qëndrueshëm dhe garantimin e pavarësisë së transmetuesit publik.
Në përfundim, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka ende sfida për të adresuar në garantimin e lirisë së mediave, mbrojtjen e gazetarëve dhe krijimin e kushteve për funksionimin e pavarur dhe të qëndrueshëm të sektorit medial.
Rama del në mbrojtje të zyrtarëve të Komunës…
Raporti i Progresit 2026: BE-ja evidenton ngecje në…
Pas supermarketeve, edhe një bankë franceze ‘bie viktimë’…
Ndryshon komandanti i kontingjentit grek në KFOR, majori…
