Alix Earle, një figurë e njohur në rrjetet sociale dhe influencuese e njohur globalisht, ka nxitur një stuhi diskutimesh pas një deklarate të papritur lidhur me zakonet e saj të leximit. Gjatë një interviste për “Interview Magazine” me kryeredaktorin Mel Ottenberg, 25-vjeçarja u shpreh se nuk ka lexuar kurrë një libër të plotë, duke përmendur si të vetmen përjashtim “ndoshta Dr. Seuss”.
Kjo përgjigje e çuditshme ka nxitur reagime të shumta nga mijëra ndjekësit e saj, të cilët shprehën habi, veçanërisht duke marrë parasysh faktin se Earle ka përfunduar studimet universitare në Universitetin e Miamit, ku ka marrë një diplomë në administrim biznesi.
Videoja e saj ku shprehet kështu, e shpërndarë gjerësisht në platforma si TikTok dhe Instagram, ka marrë qindra mijëra shikime. Komentet kanë qenë të polarizuara; disa e kanë kritikuar Earle për mungesën e interesit ndaj leximit dhe mënyrën se si e ka paraqitur atë, ndërsa të tjerë e kanë mbrojtur, duke e cilësuar si një përgjigje të sinqertë dhe spontane.
Vetë Earle duket se e ka marrë me humor reagimin masiv, duke postuar në Instagram Story shprehjen “This is sending me”, duke treguar se është e vetëdijshme për debatin që ka shkaktuar deklarata e saj. Earle, e cila numëron miliona ndjekës në platformat kryesore sociale dhe është pjesë e reality show-t të Netflix “Earle Meets World”, vazhdon të jetë një nga personalitetet më të ndjekura të gjeneratës së saj.
