Situata ekonomike në Kosovë po përkeqësohet ndjeshëm, teksa inflacioni i lartë dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve kanë krijuar një barrë të rëndë për familjet kosovare. Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka ngritur alarmin, duke theksuar se pagat minimale dhe mesatare nuk janë në gjendje të përballojnë shpenzimet bazike për një jetesë normale.
Gërxhaliu shpjegon se varësia e Kosovës nga importi, e kombinuar me mungesën e një dialogu efektiv me sektorin privat dhe stabilitetin politik, po nxit inflacionin. Ai thekson se inflacioni në vend ka tejkaluar 7%, duke u renditur më i larti në rajon dhe më i lartë se shumica e vendeve të Bashkimit Evropian. “Inflacioni është dyfish më i lartë se ai në vendet e BE-së, dhe është e domosdoshme që pagat të rriten në përputhje me këto lëvizje,” tha ai.
Si ilustrim të kësaj situate, Gërxhaliu përmend rritjen drastike të çmimit të peletit, i cili nga rreth 220 euro për ton vitin e kaluar, tashmë arrin deri në 500 euro. Sipas tij, një familje me katër anëtarë ka nevojë për mbi 1,200 euro të ardhura mujore për të jetuar normalisht, një shifër kjo e paarritshme për shumicën.
Ai bën thirrje për një fokus më të madh te zhvillimi ekonomik, rritja e eksporteve dhe depolitizimi i ekonomisë. “Është koha për një dialog më të thellë në partneritetin publiko-privat dhe për të orientuar vendin drejt zhvillimit ekonomik,” ka përfunduar ai, duke shtuar se pagat aktuale, si ajo minimale prej 500 eurosh dhe mesatarja prej 730 eurosh, janë krejtësisht të pamjaftueshme.
Gërxhaliu paralajmëron se pa zhvillim ekonomik nuk mund të ketë stabilitet social, prandaj Qeveria duhet të ndërmarrë masa konkrete për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të fuqizojë rolin e sektorit privat.
