Gjenerali Wesley Clark, një figurë e njohur e NATO-s, ka reaguar fuqishëm pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila shqiptoi dënime të gjata burgu për katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Clark shprehu habinë dhe zemërimin e tij, duke theksuar se nuk ka parë asnjë provë bindëse që të justifikonte një vendim të tillë.
Në një intervistë për emisionin ‘Off the Record’ në A2 CNN, gjenerali Clark theksoi se ky vendim do të krijojë sfida të mëdha për të ardhmen e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit. “Jam i shokuar dhe i zemëruar. Njoh Thaçin dhe shokët e tij, ata që kanë kontribuar në luftë. Kam dëshmuar në gjyq dhe kam treguar çfarë kam parë, por nuk kam parë asnjë provë që të justifikojë këtë vendim. Fatkeqësisht, Gjykata dha vendimin e saj dhe kjo do të jetë një rrugë e vështirë në të ardhmen,” deklaroi ai.
Duke iu përgjigjur pyetjes për përputhjen mes pretendimeve të gjykatësve dhe dëshmisë së tij, Clark vuri në dukje se Hashim Thaçi kishte bërë një punë të shkëlqyer në mbrojtjen e popullatës civile serbe gjatë konfliktit. “Deri tani, dëshmitë sekrete që kam parë nuk do të më bënin të ndryshoja mendimin tim. Kam takuar Thaçin tri herë gjatë konfliktit dhe në Rambuje,” shtoi Clark.
Ai vazhdoi duke shpjeguar se UÇK-ja ishte një lëvizje e rezistencës kundër një regjimi autoritar, ndërsa krimet individuale ishin kryer nga forcat serbe kundër shqiptarëve. “Mendoj se Thaçi bëri një punë të shkëlqyer për të mbrojtur popullatën e pafajshme serbe, si dhe ata që ishin mbi lumin Ibër, duke i shtyrë shqiptarët më poshtë,” përfundoi gjenerali, duke shprehur shqetësim të thellë për të ardhmen dhe duke theksuar se nuk beson se Thaçi meriton të dënohet për krime lufte.


