Veprimtari i njohur shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka shprehur sot zhgënjim të thellë pas tërheqjes së Prof. Dr. Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës. Ai e cilësoi këtë zhvillim si një “goditje për të ardhmen” dhe një “lajm të keq për popullin e Kosovës”, duke kritikuar ashpër klasën politike për dështimin në zgjidhjen e bllokadës aktuale.
Në një postim në rrjetet sociale, Bajraktari theksoi se Kosova humbi mundësinë për të pasur një president të kualifikuar, i cili do të mund të adresonte krizën politike dhe të ndihmonte në krijimin e institucioneve funksionale. “Fatkeqësisht, deputetët dështuan të kryejnë detyrat për të cilat janë zgjedhur. Ata nuk e vendosën Kosovën në prioritet, por vazhduan me kalkulime politike”, deklaroi ai.
Bajraktari shtoi se komuniteti shqiptaro-amerikan dhe miqtë e Kosovës në Washington kishin shpresa të mëdha për një zgjidhje përmes këtij procesi. “Nuk e di se si do t’ia bëjnë politikanët tanë për ta nxjerrë vendin nga ky lëmsh ku e kanë futur. Është për të ardhur keq”, shkroi ai.
Në fund, Bajraktari kritikoi ashpër klasën politike për dëmtimin e serioz të ardhmja e Kosovës, duke theksuar se një qasje e tillë nuk e nderon sakrificën e popullit dhe mbështetjen ndërkombëtare. Ai përmbylli postimin me urimin: “Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë popullin shqiptar”.


