Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me drejtimin politik të Serbisë, duke paralajmëruar se mbështetja te ‘mitologjia millosheviqiane-shesheliane’ po vazhdon të diktojë vendimet kryesore të vendit. Sipas tij, pa një ndryshim rrënjësor në narrativën politike, Serbia rrezikon të mbetet e mbërthyer në të kaluarën e saj më të errët.
Këto komente vijnë në një moment kyç, teksa Serbia po përgatitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Vendimi i Partisë Radikale Serbe (SRS), e drejtuar nga Vojislav Shesheli, për të garuar në të njëjtin bllok zgjedhor me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit, duke shprehur mbështetje për Vuçiqin si kandidat për kryeministër, ka nxitur shqetësime.
Stojkoviq thekson se për sa kohë që kjo ‘mitologji dhe ideologji’ vazhdon të dominojë, vendimet politike do të jenë thjesht përsëritje të të kaluarës, duke paraqitur një rrezik për të ardhmen e të gjithë qytetarëve, pavarësisht pozitës së tyre.
Bashkimi elektoral mes SNS-së dhe radikalëve nxjerr në pah historikun e Vuçiqit, i cili filloi karrierën e tij politike te SRS në vitin 1993, duke mbajtur poste të rëndësishme para se të largohej në vitin 2008 për të themeluar SNS.
Ky afrim nuk kufizohet në nivel qendror, por shihet edhe në zgjedhjet lokale, siç ndodhi në Aranxhelloc, ku Shesheli mbështeti fushatën e SNS-së. Ky zhvillim ka nxitur kritika nga mediat e pavarura serbe, të cilat e lidhin me rikthimin e metodave politike të Sheshelit.
Analistët politike shprehin frikën se Vuçiq po kthehet te modeli i Partisë Radikale, duke përdorur nacionalizmin si mjet për ruajtjen e pushtetit. Dënimi i Sheshelit për krime lufte nga Tribunali i Hagës në vitin 2018, shton peshë paralajmërimit të Stojkoviqit, duke vënë në dukje rëndësinë e reflektimit mbi të kaluarën dhe të ardhmen e Serbisë.


