Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka shprehur besimin e tij të plotë te skuadra para ndeshjes vendimtare ndaj Austrisë në Kupën e Botës. Ai theksoi se uniteti dhe mentaliteti kolektiv i ekipit janë më të fortë se kurrë, duke injoruar çështjet e lodhjes apo udhëtimit të gjatë, dhe duke e cilësuar Spanjën si skuadrën më të mirë në planet.
“Ne jemi ata që kërkojmë më shumë nga vetja. Ky është një proces ku duhet të përshtatesh me kundërshtarët, të përmirësohesh dhe të vazhdosh të rritesh. Jam i kënaqur me atë që kemi treguar deri tani, por tani nuk ka hapësirë për gabime,” deklaroi De la Fuente.
Duke folur për Austrinë, trajneri e përshkroi atë si një ekip tejet agresiv. “Do të jetë një ndeshje me shumë duele individuale, si në fazën ofensive ashtu edhe në atë mbrojtëse. Nëse ata mbrohen thellë, do të na duhet ta lëvizim topin shpejt dhe të jemi efektivë në hapësira të ngushta.”
Ai shtoi se edhe pse lojtarët që luajnë bashkë në klube e kuptojnë më mirë njëri-tjetrin, ekipi kombëtar përballet me sfidën e mungesës së kohës së përbashkët. “Talenti i tyre i lartë i ndihmon të kapërcejnë këto pengesa dhe të nxjerrin potencialin e plotë. Forca jonë më e madhe qëndron te aftësia për të kombinuar të gjitha këto elementë,” theksoi ai.
Lidhur me përgatitjet për penalltitë, De la Fuente konfirmoi: “Ne stërvitemi për çdo skenar të mundshëm, bazuar në informacionin për kundërshtarin. Mund të kemi një listë të gjuajtësve idealë, por jo të gjithë mund të jenë në fushë. Vendimet do të merren në momentin e duhur.”
Trajneri përfundoi duke lavdëruar lojtarët për profesionalizmin dhe respektin reciprok. “Këta janë lojtarë që janë yje në klubet e tyre, por këtu e dinë se vetëm 11 nga 26 mund të luajnë. Janë të pangopur dhe ambiciozë, por mbi të gjitha tregojnë respekt ndaj njëri-tjetrit dhe jetojnë si grup. Të gjithë e dinë se mund të luajnë, por gjithmonë e vënë ekipin dhe shokët para vetes, pa egot që shihen diku tjetër,” përfundoi ai.


