Këngëtarja e njohur Soni Malaj ka rrëfyer për publikun e formatit televiziv “Ferma VIP” një nga kapitujt më sfidues dhe emocionues të jetës së saj, duke u kthyer në kujtimet e fëmijërisë.
Malaj ka ndarë me publikun sakrificat e mëdha dhe luftën e saj kundër një sëmundjeje që në moshë të re ia pamundësoi ecjen. Ajo tregoi se gjatë shkollës fillore, rreth moshës 7-8 vjeç, u përball me një krizë të rëndë shëndetësore.
“Ka qenë një reumatizëm i shkallës së lartë, arsyen se pse nuk e di,” u shpreh ajo, duke kujtuar dhimbjet e forta që i kishin bërë të pamundur çdo hap, teksa ndodhej në Tropojë.
Për shkak të gjendjes së saj, këngëtarja ka qenë e shtruar disa herë në spital dhe ka ndjekur kurat mjekësore. Megjithatë, një moment i papërmendur solli një përkeqësim të menjëhershëm.
Gjatë një fundjave familjare në Valbonë, Soni u sugjerua t’i fusë këmbët në ujë të ftohtë. Ky veprim, fatkeqësisht, rezultoi në paralizimin e saj të përkohshëm.
Edhe pse sot nuk i kujton qartë detajet e shërimit të plotë nga kjo sëmundje agresive, Soni ruan në memorie sakrificat e jashtëzakonshme të prindërve dhe të afërmve të saj. Ata e mbanin vazhdimisht në krahë për çdo lëvizje, edhe për t’i mundësuar pjesëmarrjen në mësimet me shoqet e klasës.


