Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë dënuar “përdorimin e tepruar të forcës” nga policia në Gjeorgji kundër protestuesve që kanë dalë në rrugë në Tbilisi për të kundërshtuar një vendim të qeverisë për të pezulluar negociatat e anëtarësimit me BE-në.
Por pavarësisht kritikave, kryeministri gjeorgjian Irakli Kobakhidze vlerësoi policinë të dielën për mënyrën se si reagoi ndaj protestuesve që sipas tij “po ndiqnin urdhrat e huaj për të minuar shtetin”.
Gjeorgjia, një vend me 3.7 milionë banorë që dikur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, është zhytur në krizë që kur partia qeverisëse “Ëndrra Gjeorgjiane” tha të enjten se do të ndalonte bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian për katër vitet e ardhshme.
Njoftimi i qeverisë se po pezullonte negociatat për t’u bashkuar me BE-në erdhi disa orë pasi Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që dënonte zgjedhjet e muajit tetor si “jo të lira dhe jo të drejta”.
