Një lajm tragjik ka goditur qytetin e Gjilanit, ku një 61-vjeçar Xhemajl Behluli, i shpallur i zhdukur është gjetur i vdekur. Trupi i tij u gjet pas disa ditësh kërkimesh intensive nga familjarët, miqtë dhe autoritetet lokale. Lajmi për zhdukjen e tij u raportua për herë të parë të enjëten, kur familja e tij humbi kontaktet me të.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani tha se po e presin raportin zyrtar mjekësor.
“Jemi në pritje të një raporti nga mjeku. Tani prokurori mbetet të vendos nëse do ta dërgojë për obduksion trupin e pajetë në IML apo jo. Më vonë do të bëjmë të ditura edhe informacione të tjera lidhur me rastin”, tha Hashani.
Policia e Kosovës, përmes një njoftimi kishte kërkuar ndihmë nga qytetarët për ta gjetur Xhemajl Behlulin.
Gjendet pa shenja jete personi i shpallur i humbur
Gjilan, 02 korrik 2024
Polica e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka lëshuar kërkesën për bashkëpunim me media dhe qyrtë përmes së cilës ka kërkuar që të lokalizohet vendndodhja e personi Xhemail (Mehmet) Behluli data e lindjes 20.04.1963 me banim në rrugën ‘’Beteja e Koshares’’ në qytetin e Gjilanit, person i humbur që nga data 27.06.2024.
Sot me datën 02.07.2024 njësite policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan në bashkëpunim me familjarë të personit kanë arritur që të gjejnë personin e paraqitur të humbur pa shenja jete, vdekjen e së cilit e ka konstatuar mjeku kujdestar.
Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion./Prishtina Post/