Shtohen rastet e spiunimeve ruse në Gjermani
Gjermania kaherë përballet me afera të spiunimeve dhe besoj se këtë e dini. Besoj se ju kujtohet ajo koha kur spiunohej madje edhe vetë ish-Kancelarja Merkel, por kohët e fundit janë shtuar spiunimet ruse dhe në shërbim të Rusisë.
Ka pasur edhe disa arrestime e rasti i fundit ka bërë shumëkë të mendohet mirë – sepse agjentët e dyshuar rusë janë të aftë të futen edhe fare pranë krerëve të shtetit.
Në këtë foton për shtypin ë bërë publike në dhjetor nga qeveria ukrainase shihe Presidenti Zelenski dhe Kancelari Friedrich Merz gjatë një eventi biznesi.
Krejt në rregull, sepse Gjermania dhe Ukraina kanë ndërtuar raporte të ngushta në disa vitet e fundit. Por ajo që nuk është në rregull, është fakti që vetëm dy rreshta pas Zelenskit dhe Merzit ishte ulur gruaja që tani përflitet si spiune e mundshme për rusët.
Më 21 janar 2026 gjermano-ukrainasja Ilona W. u arrestua në Berlin, sepse dyshohet se ka qenë në kontakt me një punonjës të ambasadës ruse të paktën që nga nëntori 2023 e deri tani. Ajo akuzohet se i dha atij informacione në raste të ndryshme, ndër të tjera informacione që lidhen me luftën midis Federatës Ruse dhe Ukrainës, thuhet në deklaratën e Zyrës së Prokurorit Federal.
Ilona W. dyshohet se ka mbledhur informacione rreth pjesëmarrësve në “evenimente politike të profilit të lartë”. Ajo dyshohet gjithashtu se i ka kaluar kontaktit të saj informacione rreth vendndodhjeve të prodhuesve gjermanë të armëve, testeve të dronëve dhe dërgesave të planifikuara me dronë në Ukrainë. Ilons W. ishte aktive edhe si një lloj lobiiste në rrethet politike të Berlinit dhe konsiderohej shumë aktive, pasi që kishte qasje në shumë ngjarje të nivelit të lartë – siç tregon edhe fotografia.
Televizioni ARD njofton se Ilona W. ishte kryetare e një “shoqate federale” me seli në Berlin, e kjo organizatë përshkruhet si “ombrellë për shoqatat binacionale” të dedikuara për mirëkuptimin ndërkombëtar.
Ministria e Jashtme Gjermane e thirri të enjten e kaluar ambasadorin e Rusisë, Sergey Nechayev në bisedë dhe e njoftoi se një punonjës i Ambasadës i akredituar si diplomat ishte përfshirë në spiunazh dhe ishte detyruar të largohej nga vendi. Personiishte zëvendësatashe ushtarak dhe dyshohet se mund të ketë qenë personi i kontaktit të Ilona W.
Rusia natyrisht i ka hedhur poshtë këto akuza, por së fundi janë shtuar rastet e spiunimeve të dyshuara si dhe aktiviteteve të tjera në favor të Rusisë, që flet se Gjermania është në shënjestër të shërbimeve ruse!