Shtetet e Bashkuara dhe Serbia kanë nënshkruar të mërkurën një marrëveshje për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë në Serbi.
Departamenti amerikan i Shtetit tha në një njoftim se “kjo marrëveshje do t’i zgjerojë mundësitë për kompanitë amerikane për të investuar në sektorin e energjisë në Serbi, përfshirë promovimin e investimeve amerikane që do ta forcojnë partneritetit strategjik SHBA-Serbi”.
Marrëveshja u nënshkrua të mërkurën nga nënsekretari i Shteteve të Bashkuara për Rritje Ekonomike, Energji dhe Mjedisi, Jose Fernandez, dhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq.
Fernandez tha se “aftësia jonë për të punuar në energjinë e pastër, si dhe mundësia që kompanitë amerikane të investojnë në teknologjitë nga ajo fushë në Serbi, është diçka që ne e vlerësojmë shumë”.
Ai shtoi se SHBA-të është e lumtur që bashkëpunimi me Serbinë në fushën e energjisë së gjelbër do të vazhdojë.
“Ndryshimi i klimës është sfida e kohës sonë. Por, është gjithashtu një mundësi për të investuar në energjinë e së ardhmes dhe hapi i parë u hodh sot,” shtoi Fernandez.
Gjuriq tha se marrëveshja do ta lehtësojë kalimin në energji të gjelbër në Serbi dhe do të ofrojë qasje më të mirë në energji të pastër.