Sonte, vajza kosovare Donjeta Sadiku shënoi një fitore të jashtëzakonshme në Lojërat Olimpike, duke nisur rrugën e saj drejt medaljes. Mirëpo, në momentin kur RTK transmetonte ndeshjet e Lojërave Olimpike, ky transmetim u ndërpre papritmas. Arsyeja e kësaj ndërprerjeje ishte transmetimi i një fjalimi të kryeministrit Albin Kurti në ekranin e Radio Televizionit të Kosovës.
Deputeti Behxhet Pacolli reagoi i indinjuar ndaj këtij veprimi, duke e cilësuar si një skandal të paprecedent. Në reagimin e tij, Pacolli tha:
“Asnjëherë më parë nuk kam përjetuar që televizioni publik të ndërpresë transmetimin e Lojërave Olimpike për të transmetuar një intervistë me Kryeministrin e Kosovës. Kjo ndodhi sonte nga RTK, që ishte duke transmetuar boksin e Lojërave Olimpike nga Parisi!”
Ky veprim i RTK-së ka ngjallur reagime të shumta nga publiku, i cili shprehu zhgënjimin e tij për ndërprerjen e një ngjarjeje sportive të rëndësishme për të transmetuar një fjalim politik. Ndërprerja e transmetimit të Lojërave Olimpike, ku Donjeta Sadiku po konkurronte me sukses, është parë si një veprim që dëmton interesat e sportistëve dhe publikut të gjerë që ndiqte me pasion këtë ngjarje.
Pacolli, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm, kërkoi që televizioni publik të tregojë më shumë respekt për sportistët dhe shikuesit e tij, duke mos i ndërprerë ngjarjet sportive për çështje politike.
Prishtina Post
