Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka dhënë detaje rreth një përleshjeje të ndodhur në një klub nate në Pejë, ku mes të dyshuarve është edhe reperi Noizy. Për të, është lëshuar një fletarrest.
“Rasti është regjistruar si ‘Lëndim i rëndë trupor’. Prokuroria Themelore në Pejë ka lëshuar fletarrestin, i cili duhet të zbatohet nga Policia e Kosovës për kapjen e personave të përfshirë në këtë çështje penale,” tha Nikçi.
Nikçi informoi se Prokuroria Themelore e Pejës ka autorizuar policinë të intervistojë përsëri viktimat dhe dëshmitarët okularë që ishin të pranishëm natën e ngjarjes, gjatë performancës së këngëtarit në Pejë.
Ai shtoi se ka pasur kërkime intensive për kapjen e të dyshuarve, përfshirë edhe Noizyn, por këto kërkime deri tani nuk kanë pasur sukses. “Në disa lokacione ku është kërkuar, rezultatet kanë qenë të pasuksesshme deri më tani,” u shpreh ai.
Në emisionin “Kosova Today”, Nikçi po ashtu tha se avokati i Noizyt kishte premtuar se reperi do të paraqitej vullnetarisht për intervistim, por kjo ende nuk ka ndodhur.
