Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot ka pritur në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Republikën e Kosovës, Aivo Orav të cilit i uroi mirëseardhje dhe sukses në detyrën e re.

Gjatë këtij takimi, ministrja Haxhiu e njoftoi Ambasadorin Orav për punën dhe arritjet e deritanishme në Ministrinë e Drejtësisë brenda mandatit, duke theksuar këtu reformën në drejtësi, luftimin e korrupsionit, adresimin e krimeve të luftës, parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe fuqizimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare si dhe ato të Profesioneve të Lira mes tjerash.
Në takim gjithashtu është diskutuar për rëndësinë e reformes në drejtësi dhe për çështje të tjera në kuptim të bashkëpunimit në forcimin e rendit dhe sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.Në fund, ministrja Haxhiu falënderoi Ambasadorin e ri të BE-së në Kosovë për gatishmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim dhe mbështetje për Republikën e Kosovës.