“Pavarësisht të gjitha sfidave, unë besoj se Ballkani Perëndimor e ka vendin e tij në BE dhe Gjermania do të vazhdojë të mbështesë vendet në këtë rrugë”, tha Anna Luhrmann, ministre e Shtetit për Evropën dhe Klimën në Ministrinë e Jashtme Federale Gjermane, në fjalën e mirëseardhjes në Forumin e Shoqërisë Civile dhe Think Tank 2024 gjatë ditës së djeshme në Berlin.
Kjo konferencë ndërkombëtare mbahet në datat 8-10 tetor, në kuadër të Procesit të Berlinit dhe organizohet nga Shoqata e Evropës Juglindore dhe Instituti Aspen Gjermani, me mbështetjen e Zyrës Federale Gjermane.
Duke iu referuar dhjetëvjetorit të fillimit të Procesit të Berlinit, Luhrmann tha se organizatat e shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor janë pjesë përbërëse e tij dhe se është e impresionuar nga kontributi i tyre në këtë proces. Gjithashtu, ajo theksoi se sektori i OJQ-ve në rajon është përballur me sfida të shumta.
“Këto sfida përfshijnë mungesën e fondeve dhe, çka është shumë më keq, shoqëria civile në Ballkanin Perëndimor shpesh përballet me frikësime, konkretisht me kërcënime, të cilat janë bërë gjë e zakonshme në ditët e sotme. Kjo është ajo që po shohim në Serbi tani. Më lejoni të jem e sinqertë – kjo është krejtësisht e papranueshme. Edhe në situatat kur nuk ka konsensus në opinion, obligimi i autoriteteve, përfshirë ato në Serbi, është të mbrojnë të gjithë aktorët në jetën publike, që nënkupton lirinë e fjalës”, ka theksuar ministrja gjermane, raporton “europeanwesternbalkans.com