Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se nëse çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk zgjidhet, mund të harrohet integrimi i të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE.
“Nëse nuk e zgjidhim çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të harrojmë integrimin e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm Serbisë dhe Kosovës. Mendoj se arritëm të bëjmë më të mirën e mundshme me marrëveshjen e normalizimit që u miratua vitin e kaluar në Ohër, por ajo nuk u zbatua kurrë”, tha Lajçak në konferencën rajonale të sigurisë Globsec në Pragë.
Zyrtari evropian citoi mesazhin e presidentit francez Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në Beograd: “Rruga është e asfaltuar dhe quhet Ohër”.
“Megjithatë, mungon vullneti politik dhe shoqëritë nuk janë të gatshme për këtë. Përveç kësaj, në shkurt do të kemi zgjedhje parlamentare në Kosovë, prandaj është naive të presim një kthesë para zgjedhjeve. Por ne duhet të shohim një ndryshim të rëndësishëm në zbatim menjëherë pas zgjedhjeve”, tha Lajçak.

Ai priste që në një skenar ideal, vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Mali i Zi dhe Serbia, mund të anëtarësohen në BE në tre deri në katër vjet.
Letonia, Lituania dhe Sllovakia përfunduan negociatat e tyre të pranimit në më pak se tre vjet. Mali i Zi dhe Serbia kanë negociuar prej vitesh dhe janë ende larg mesit të procesit. Por nëse jeni serioz, nëse filloni të mbyllni kapituj, mund ta bëni për dy vjet e gjysmë dhe dy orë të tjera për ratifikim. Nuk është joreale, por është një skenar ideal”, tha Lajçak.
Miroslav Lajçak kujtoi se 53 për qind e qytetarëve të BE-së dëshirojnë zgjerimin, por se kur përballen me pyetje të tilla si nëse vendi i tyre do të vazhdojë të jetë përdorues neto i fondeve apo nëse BE-ja do të jetë më e fortë me këto vende të reja, atëherë gatishmëria për zgjerimin është më e ndërlikuar.
“Unë e di se sa e lehtë është për vendet e treta që të pengojnë BE-në të jetë një faktor gjeopolitik. Mjafton të bindësh një vend anëtar që të aplikojë veton”, tha Lajçak në panelin e debatit për zgjerimin e BE-së./Transmeton/Prishtina Post/
