Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar dje në Mynih dhe Shtutgart ku është takuar me shumë mërgimtarë, ndërsa sot do të takojë mërgimtarët edhe në Këln dhe Berlin. Kurti në Shtutgart shprehu në fillim keqardhje për të gjithë ata që udhëtuan gjatë për të qenë pjesë e këtij tubimi, por që për shkak të mungesës së kapacitetit nuk patën mundësi të marrin pjesë. Ai premtoi se do të ketë edhe takime të tjera, që me siguri nuk duhet dyshuar, kur dihet se tani më ka filluar edhe fushata e të gjitha partive për përfitimin e votave të mërgimtarëve.

Vetëm në Gjermani jetojnë rreth 600.000 shqiptarë nga Kosova… Këto takime po mbahen në prag të samitit të Procesit të Berlinit ku do të shënohet dhjetëvjetori i tij në Berlin. Kosova do të jetë pjesë e samitit, pasi që ka plotësuar kushtin e Gjermanisë që të zhbllokojë futjen e mallrave serbe në Kosovë.
Kryeministri Kurti foli në Mynih dhe Shtutgart për arritjet e qeverisë që ai drejton për këto tre vite e gjysmë, duke përmendur “rritjen e Bruto Produktit Vendor për 33%, rritjen e buxhetit shtetëror për 35%, përmirësimet e ndjeshme në shëndetësi, përparimet në drejtësi dhe siguri, luftën ndaj korrupsionit…”

Kurti tha se qeveria e drejtuar prej tij ka ngritur numrin e të punësuarve nga 350 mijë në 425 mijë duke krijuar 75 mijë vendeve të reja të punës. Kurti gjatë kësaj vizite përmendi edhe një incident në kufirin e Kosovës, ku tha se forcat e Kosovës kanë zbuluar vetëm 50 metra larg vijës kufitare forcat serbe… të cilat kanë ikur më pas!
Në këto takime ishte edhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz e cila po ashtu foli për rëndësinë e mërgatës në dekadat e fundit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme dhe Mërgatës, ndërkohë jashtë Kosovës jetojnë më shumë se gjysma e popullatës.