Në Paris është mbajtur dje Forumi i parë Ekonomik i Kosovës.Hapjen e këtij forumi e ka bërë kryeministri Albin Kurti, i cili në fjalën e tij, u bëri ftesë kompanive franceze që të investojnë në Kosovë.“
Kjo është më shumë se një ftesë për të investuar në Kosovë. Është ftesë për të qenë pjesë e transformimit tonë dhe ftesë për të rritur e thelluar miqësinë tonë. Së bashku, mund të ndërtojmë një ekonomi të fortë, një rajon më prosperues dhe një të ardhme për të cilën të gjithë mund të krenohemi”, citohet të ketë thënë Kurti.Ai ka renditur arsyet dhe ka veçuar sektorët me më së shumti mundësi për investime të huaja.
“Pozita gjeografike e vendit, rinia e arsimuar, e talentuar, kreative, që flet më shumë se një gjuhë të huaj, politikat fiskale dhe sistemi tatimor i leverdishëm, progresi demokratik në vitet e fundit, sundimi i ligjit, stabiliteti institucional dhe investimet në infrastrukturë, si dhe planet për mbi 50 projekte të infrastrukturës në transport, mjedis dhe energji, janë elementet kyçe që e bëjnë Kosovën tërheqëse për investitorë të huaj, veçoi kryeministri Kurti”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.Në këtë forum ka marrë pjesë edhe Ministri i Francës për Evropë, Benjamin Haddad.