Një laborator i drogës u zbulua mbrëmjen e 21 shtatorit në një ndërtesë në Prishtinë, ku dyshohej se përpunoheshin substanca narkotike të llojit heroinë dhe kokainë. Dy persona përfunduan në pranga të Policisë, ndërsa bastisjet u kryen në tri lokacione. Ndaj tyre, Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë dhe sot mbahet seanca.
Sinjali ka mësuar se ndaj Kadri Gashit dhe Hasan Xhemajlit, i njohur si Viktor Bajçinca, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e paraburgimit.
Ndërsa seanca dëgjimore do të mbahet në orën 14:00.
Aksioni për këtë rast, sipas Policisë, erdhi pas një hetimi 10 mujor, ku u aplikuan edhe masa të veçanta hetimore.
Gjatë bastisjeve është gjetur një sasi droge e llojeve heroinë dhe kokainë dhe mjete pune për përpunimin e substancave narkotike, si dhe një sasi droge në gjendje të ngurtë prej rreth 7 kilogramë.
“Dyshohet që ky ‘laborator’ për përpunimin e substancave narkotike të llojit heroinë dhe kokainë është përdorur nga të dyshuarit për një periudhë kohore, ku pas përpunimit të substancave, të njëjtat i paketojnë në doza të vogla për shitje në rajone të ndryshme të vendit”, njoftoi Policia.
Prishtina Post