Zjarri i egër që përfshiu qytetin kanadez të Jasper ditët e fundit shkriu veturat në rrugë dhe shndërroi shtëpitë në hi.
Së fundmi janë publikuar imazhet e para që tregojnë shkallën e shkatërrimit në këtë qytet turistik të njohur, pas përfshirjes nga një “mur zjarri” deri në 100 metra të lartë.
Zjarri ka qenë jashtë kontrollit për disa ditë, duke e bërë të vështirë vlerësimin e përmasave të dëmit. Rreth 25,000 njerëz janë evakuuar nga qyteti dhe Parku Kombëtar Jasper në Alberta.
Autoritetet nga Parku Kombëtar Jasper kanë njoftuar se 358 nga 1,113 strukturat në qytet janë shkatërruar. Megjithatë, infrastruktura kritike, përfshirë spitalin dhe bibliotekën, është mbrojtur, raporton BBC.
Një listë e adresave ku ndërtesat janë dëmtuar është duke u finalizuar dhe do të publikohet “së shpejti”, sipas autoriteteve.
Imazhet tregojnë dëme të jashtëzakonshme në këtë qytet të vendosur në shkëmbinjtë kanadezë. Nxehtësia ishte aq e fortë sa që ka shkrirë pjesët e një veture në një pellg metali, “që pikonte nëpër rrugë si një akullore në një ditë të nxehtë”.
Fotografitë e tjera tregojnë mbetjet e veturave të grumbulluara njëra mbi tjetrën dhe një autobus shkolle të mbuluar me një nuancë të zezë dhe të verdhë.
Siç raportohet, hotelet, një kishë dhe shumë shtëpi janë shkatërruar.
“Jemi të ndjeshëm ndaj banorëve dhe bizneseve që kërkojnë më shumë informacion mbi detajet specifike të shkallës së dëmeve,” thanë autoritetet. “Ne e dimë se njerëzit po shohin imazhe në rrjete sociale, por ajo që dimë për incidentet e zjarrit është se marrja e informacionit të duhur është thelbësore,” shtuan ata.
