Platforma për kontroll të fakteve, Hibrid.info, ka publikuar raportin e dytë vjetor mbi çrregullimin informativ në Kosovë, titulluar “Prapa Ekraneve: Adresimi i Sfidave të Informimit në Kosovë II”. Hulumtuesi Festim Rizanaj ka raportuar se në periudhën korrik 2023 – qershor 2024 janë identifikuar 818 lajme me përmbajtje keqinformuese.
Raporti i dytë vjetor i Hibrid.info, “Prapa Ekraneve: Adresimi i Sfidave të Informimit në Kosovë II”, ka zbuluar se artikujt “clickbait” janë dominues në peizazhin informativ të Kosovës, duke kapur 22% të përmbajtjeve të keqinformuese. Siguria, çështjet sociale dhe politika janë identifikuar si fushat kryesore ku ndodhin keqinformime, me personalitetet më të përfolura duke përfshirë Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin. Raporti tregon se 91% e përmbajtjes keqinformuese është në gjuhën shqipe, dhe se rrjetet sociale si Facebook dhe TikTok janë burimet kryesore të këtyre informacioneve.
