Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris vuri në pikëpyetje qëndrueshmërinë fizike të kandidatit republikan, Donald Trump për të shërbyer si i pari i shtetit amerikan ndërsa ata mbanin mitingje në Michigan.
Harris, e cila mbush 60 vjeç të dielën (sot), shprehu dyshimet e saja për 78-vjeçarin Trump. Mosha ishte problem edhe kur presidenti amerikan, 81-vjeçari Joe Biden ishte kandidat për president, por ky problem u zgjidh pasi ai hoqi dorë nga kandidatura.
Harris tha të premten se ish-presidenti amerikan po anashkalonte intervistat sepse ishte i lodhur ndërsa refuzoi debatin e dytë presidencial sepse ka humbur aftësitë fizike.
“Kjo duhet të jetë një shqetësim. Nëse ai nuk mund të përballojë ashpërsinë e fushatës, a është ai i përshtatshëm për këtë punë?”, tha ajo para gazetarëve përpara një mitingu në Grand Rapids ndërsa shtoi “është një pyetje legjitime.”
