
Dy kamionë u dogjën në orët e para të së martës në Mitrovicën e Veriut, duke shkaktuar dëme edhe në një veturë udhëtarësh. Policia e Kosovës për Rajonin Verior ka bërë të ditur se zjarri ka të ngjarë të ketë qenë i qëllimshëm, por ende nuk ka të dyshuar dhe hetimet po vazhdojnë.Sipas burimeve tona, pronarë të kamionëve janë shqiptarë që kanë biznese me shumicë në atë zonë, ndërsa vetura e dëmtuar është në pronësi të një serbi.Ngjarja është shoqëruar nga tri shpërthime, të cilat kanë paraprirë zjarrin. Ky incident është i fundit në një seri ngjarjesh të ngjashme që kanë ndodhur në veri të Kosovës, një zonë e banuar kryesisht nga serbë. Në qershor dhe prill të këtij viti, po në të njëjtën zonë, janë djegur disa automjete dhe një restorant në pronësi të një ish-zëvendëskryetare komune.Autoritetet lokale dyshojnë se këto zjarrvënie janë të qëllimshme dhe me motive politike, duke përfshirë edhe raste të djegies së objekteve dhe makinave gjatë procesit të riregjistrimit të automjeteve me targa të Kosovës vitin e kaluar.Mitrovicë e Veriut, 9 korrik 2024
