Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka paralajmëruar Kosovën se rrezikon të mbetet e “vetme dhe mbrapa” nëse nuk i dëgjon miqtë dhe aleatët e saj, pas veprimeve të fundit në veriun e vendit me shumicë serbe.
“Ne nuk kemi asgjë për të thënë për këtë temë të rihapjes së urës. Vetëm mund të rikujtoj për të gjithë ata që kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës [BE, SHBA, NATO dhe Britania e Madhe] kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, ndryshe rrezikohet që të mbetet e vetmuar dhe të mbetet prapa,” tha Stano.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar në fillim të gushtit synimet e saj për të hapur urën mbi lumin Ibër për qarkullim automjetesh, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha më herët këtë javë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ka rrezik të vërtetë që hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë. Ai shprehu shpresën se Qeveria e Kosovës do ta dëgjojë këtë kërkesë.
Më 15 gusht, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova duhet të sigurohet që hapja e urës në veri të bëhet në mënyrë që të mos nxisë konflikt me aleatët e vendit dhe të mos sjellë prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Presidentja Osmani e cilësoi si “raciste” qëndrimin e BE-së në lidhje me urën dhe theksoi se Kosova nuk duhet ta diskutojë çështjen e urës me Serbinë në Bruksel.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se hapja e urës mbi Ibër nuk është çështje e pazgjidhur e dialogut, por është “kërkesa kryesore e marrëveshjes së arritur në Bruksel”.
Për kritikët e Qeverisë dhe të Osmanit ndaj BE-së, Stano theksoi se nuk bëhet fjalë për ndonjë marrëveshje të re, por për zbatimin e marrëveshjes së arritur më parë për urën.
“Po ashtu mund të përsëris se çfarë e kemi këshilluar Prishtinën në një numër rastesh: Qeverisja e mirë nënkupton që t’u afrohesh dhe t’i angazhosh komunitetet ndaj të cilave kanë ndikim vendimet specifike. Që të merret me çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, do të thotë të diskutohen modalitetet e implementimit të marrëveshjes së arritur për urën e jo një marrëveshje e re,” shtoi ai.
“Duhet dëgjuar vërtet dhe duhet tentuar të kuptohen këshillat e njëzëshme dhe qëllimmira nga të gjithë miqtë dhe aleatët,” përfundoi Stano. Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar më 2014 që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë./ Prishtina Post
