Albin Kurti me të marrë mandatin e ri si Kryeministër i Kosovës ka bërë disa zotime mbresëlënëse për mandatin e ardhshëm, duke filluar nga ngritja e pagës mesatare në sektorin publik deri në 1.000 euro, si dhe dyfishimi i shtesave për fëmijë.
-Gjatë paraqitjes së ekspozesë si kryeministër i ri, Kurti tha se rritja e pagave do të vazhdojë në vijimësi në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike.
Me ngritjen e pagës mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro në muaj dhe shtesat deri në 90 euro, Kurti synon t’i tejkalojë edhe disa nga vendet e Bashkimit Evropian!
Bazuar në kapacitetet buxhetore që ka aktualisht Kosova, përllogaritjet e Albin Kurtit mund të prodhojnë disbalancë financiare, e cila mund të shkaktojë rritje të taksave për qytetarët dhe rritje të borxhit publik!
Ndryshe, pothuajse është iluzive të mendohet realizimi i premtimeve të dhëna nga Albin Kurti në ekspozenë e parë si kryeministër i vendit pa rritje të produkteve vendore!
Gjatë ekspozesë së tij, Albin Kurti foli shumë për rritje të punësimit përmes platformës “Superpuna”, duke dhënë shifra konkrete, por edhe duke premtuar se të njëjtën platformë do ta aplikojë edhe për gratë!
Ka diçka që nuk përputhet në gjithë këtë histori të punësimeve, në kohën kur dita-ditës kemi rënie të popullatës në Kosovë, shkaku i emigrimeve dhe rënies së fuqisë punëtore në Kosovë!
Do të ishte reale të thuhej e vërteta nga Albin Kurti për shtimin e numrit të pensionistëve në Kosovë, i cili rëndon në buxhetin e pakonsoliduar të shtetit!
Kur gjithë kësaj t’i shtohet edhe numri enorm i veteranëve të rremë të luftës së fundit çlirimtare, atëherë rëndohet akoma më tepër buxheti i shtetit, saqë kryeministri Albin Kurti nuk ka kohë as të mendojë për skemën e sigurimeve shëndetësore, element ky bazik i kthimit të besimit të qytetarëve, i të rinjve në veçanti, për të qëndruar dhe për të krijuar familje në Kosovë!