Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, së bashku me delegacionin zviceran të udhëhequr nga ai.
Takimi filloi me urimet e përzemërta të kryeministrit Kurti për mirëseardhje në Kosovë dhe për ditëlindjen e Nussbaumer, të cilit i uroi shëndet dhe jetë të gjatë.
“Gjatë bashkëbisedimit ndërmjet dy delegacioneve, u diskutua rreth marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, dhe për mundësitë e potencialin që mërgata jonë paraqet për fuqizim dhe thellim të mëtejmë të shkëmbimeve,” thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti falënderoi shtetin e Zvicrës për mbështetjen e vazhdueshme dhe rolin që ka luajtur sidomos përgjatë tri dekadave të fundit. Ai shprehu mirënjohjen për vendimin e Zvicrës për t’ia vazhduar mandatin Swisscoy-it, kontingjentit të trupave zvicerane në Kosovë në kuadër të KFOR-it, deri në vitin 2026./Transmeton Prishtina Post
