Futbollisti i skuadrës së Gjilanit, Arjol Bllaca, është shpallur “Ylli i Javës” për javën e trembëdhjetë të stinorit. Ky vlerësim nga Komisioni i Veteranëve i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) vjen pas paraqitjes së tij vendimtare në ndeshjen kundër Malishevës.
Bllaca, mesfushori i skuadrës kuqebardhë, ishte protagonist absolut në fitoren 3:2 të ekipit të tij. Ai arriti të shënojë dy herë dhe të asistojë një gol, duke treguar një efikasitet, kreativitet dhe ndikim të jashtëzakonshëm në fazën ofensive të Gjilanit. Ky është çmimi i dytë për futbollistët e Gjilanit këtë stinor, duke theksuar kontributin e rëndësishëm të lojtarëve të këtij klubi.
Pas ceremonisë së ndarjes së çmimit në zyret e FFK-së, Bllaca shprehu lumturinë dhe mirënjohjen e tij. “Jam shumë i lumtur dhe falenderues për këtë çmim. Është kënaqësi dhe motiv të shpallem Ylli i Javës,” tha ai. “Jam gjithashtu i lumtur për paraqitjen dhe realizimin e dy golave, por më shumë për fitoren e ekipit. Kjo fitore erdhi me shumë angazhim dhe sakrificë nga i gjithë ekipi.”
Lojtari shtoi se synimi i tij dhe i skuadrës është që të vazhdojnë me rezultate pozitive dhe të ndihmojnë klubin në arritjen e objektivave të vendosur.
