Përmes një postimi, Bajrami ka pyetur nëse mund të përmendet qoftë edhe një projekt i madh kapital që është përfunduar nga kjo qeveri, duke theksuar se premtimet dhe projektet e buxhetuara nuk mund të konsiderohen si investime të realizuara.
Ajo ka përmendur disa projekte rrugore që, sipas saj, vazhdojnë të mbeten të papërfunduara, përfshirë rrugët Prishtinë–Podujevë, Prishtinë–Gjilan, Prishtinë–Mitrovicë, Kijevë–Zahaq dhe Dollc–Gjakovë.
Bajrami ka kritikuar edhe nivelin e realizimit të investimeve kapitale, duke iu referuar Raportit Nëntëmujor Financiar të Ministrisë së Financave. Sipas shifrave që ajo ka prezantuar, deri në fund të shtatorit 2026 janë realizuar 376.85 milionë euro nga 998.4 milionë euro të planifikuara, apo rreth 37 për qind e buxhetit vjetor.
Deputetja e LDK-së ka theksuar se nga kjo shumë, 82.11 milionë euro janë pagesa për vendime gjyqësore, duke argumentuar se jo të gjitha shpenzimet e regjistruara si kapitale përfaqësojnë investime konkrete në terren.
Kritika ka adresuar edhe ndaj projektbuxhetit për vitin 2027. Ajo ka përmendur 23 çerdhe që, sipas saj, figurojnë në projektbuxhet pa ndarje të mjeteve për vitin e ardhshëm.
Si shembuj të tjerë, Bajrami ka përmendur rrugën Duhël–Banullë, për të cilën thotë se nuk janë ndarë mjete për vitin 2027, Unazën e Prishtinës, ku sipas saj janë paraparë vetëm një milion euro nga 61 milionë sa është vlera e projektit, si dhe Rrugën e Dukagjinit.
Ajo ka ngritur shqetësime edhe për ndarjen e mjeteve për ndërtimin e digave dhe Institutin për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë.
Sipas Bajramit, problemet me investimet kapitale lidhen me mungesën e kapaciteteve qeverisëse, keqplanifikimin, vonesat në prokurim dhe keqmenaxhimin e projekteve.
Në fund, deputetja e LDK-së ka thënë se Kosova ka nevojë për investime konkrete dhe jo vetëm premtime, duke theksuar se suksesi i një qeverie duhet të matet me projektet e përfunduara dhe rezultatet që sjell për qytetarët.
Ajo e ka përmbyllur reagimin me mesazhin se paratë publike duhet të shndërrohen në zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët.
Ramadani kritikon pushtetin: Propaganda është bërë instrumenti i…
“Fol me Kryeministrin”, Rama për platformën e re:…
S’ka stadium nacional, zgjerimi i “Fadil Vokrrit” alternativa…
Vetura përfundon në ara, vetaksident në Besi të Prishtinës
