Politikë

Ligji për Specialen ende pa epilog në Kuvend, PDK-ja nuk ka prezantuar ndryshimet konkrete

Nga · 10 min lexim
Shpërndaje: Facebook X WhatsApp Email

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar vazhdojnë të mbeten pa një epilog përfundimtar në Kuvendin e Kosovës, transmeton lajmi.net.

Nisma e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila më 6 tetor mori mbështetjen e 88 deputetëve, u kthye për rishqyrtim nga presidentja Justina Shiroka-Pula më 22 tetor, pas kërkesës së vetë grupit parlamentar të kësaj partie.

Megjithatë, deri më 7 nëntor, PDK-ja ende nuk ka prezantuar publikisht formulimet konkrete të ndryshimeve që synon t’i bëjë në tekstin e miratuar më parë.

Sponsorizuar
Fluturim Prishtinë – Stuttgart Fluturim Prishtinë – München Fluturim Prishtinë – Göteborg
Prishtinë → Stuttgart
Fluturim direkt · nisje çdo ditë
nga 99€
Rezervo tani →
Sponsorizuar
A po të gjejnë klientët në Google? — Trik Agency Plan 90-ditor për rritjen e shitjeve — Trik Agency
Merr analizën falas →

Kjo ka hapur pikëpyetje për vazhdimin e procesit, veçanërisht pasi partia që e inicioi dhe e mbrojti ligjin tashmë kërkon plotësimin e disa dispozitave përpara se ai të rikthehet për votim.

PDK-ja thotë se nuk po tërhiqet nga ligji

Më 22 tetor, presidentja Justina Shiroka-Pula njoftoi se kishte pranuar kërkesën zyrtare të Grupit Parlamentar të PDK-së për kthimin e ligjit në Kuvend.

Sipas Presidencës, kërkesa kishte të bënte veçanërisht me dispozitat që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.

PDK-ja, ndërkaq, në reagimin pas vendimit, këmbënguli se kthimi i ligjit nuk përbën tërheqje nga iniciativa.

“Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme. Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij”, thuhej në komunikatën e kësaj partie.

Më tej, PDK-ja sqaroi se qëllimi ishte që të bëhej një verifikim përfundimtar profesional dhe të adresoheshin elementet që mund të pengonin zbatimin e ligjit.

“Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme”, thuhej në reagim.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, një ditë më vonë dha edhe një zotim publik lidhur me afatin e rishqyrtimit.

“Ligji që mbron UÇK-në do të kalojë! Po e them që në fillim, pa lënë vend për dilema: brenda katër javësh, ligji do të rishqyrtohet në Kuvend dhe do të hyjë në fuqi brenda afateve të parashikuara”, kishte shkruar Çitaku.

Ajo shtoi se partia nuk është tërhequr nga iniciativa dhe se synimi është forcimi i bazës juridike të saj.

Megjithatë, deri më 7 nëntor, propozimet konkrete për dispozitat që duhet të ndryshohen nuk janë bërë publike.

Përçarje edhe brenda PDK-së për kthimin e ligjit

Një prej reagimeve që tërhoqi vëmendje pas vendimit për rikthimin e ligjit ishte ai i deputetit të PDK-së, Përparim Gruda, i cili kishte qenë i përfshirë në hartimin e tij.

Gruda doli me qëndrim publik se teksti i miratuar nuk kishte gabime dhe se nuk kishte arsye për rihapjen e debatit.

“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj”, kishte shkruar ai.

Deputeti i PDK-së kishte shtuar se do të preferonte që diskutimi të përqendrohej në zbatimin e ligjit dhe jo në rihapjen e tij.

“Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të. Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij”, kishte deklaruar Gruda.

Këto deklarata nxorën në pah dallimet brenda PDK-së lidhur me nevojën për rishikimin e një projektligji të cilin vetë kjo parti e kishte sponsorizuar.

LVV kërkon qartësi për ndryshimet që synohen

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar që PDK-ja të bëjë të ditura ndryshimet konkrete që synon t’i propozojë.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, më 23 tetor kishte deklaruar se ekziston një paqartësi juridike lidhur me mundësinë e amendamentimit të ligjit në këtë fazë.

“Kjo çështje do të trajtohet në Komision, Kuvendi do të vendosë a do të ketë ligj. Nuk ka hapësirë për të bërë ndryshime ligjore ose amendamente të tjera, sepse këtë çështje e ka sqaruar Gjykata Kushtetuese në një aktgjykim më të hershëm”, kishte deklaruar Haxhiu për Klan Kosova.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, kishte kërkuar që të sqarohet se cilat dispozita kërkohet të ndryshohen.

Ajo kishte theksuar se Kuvendi duhet të ketë para vetes propozime të qarta, në mënyrë që deputetët të dinë se për çfarë po vendosin.

Nagavci kishte ngritur edhe çështjen e përgjegjësisë së PDK-së si sponsorizuese e ligjit.

Kujtojmë se LVV-ja e kishte mbështetur projektligjin në votimin e 6 tetorit, ndonëse kishte shprehur rezerva për efektet që ai mund të prodhonte në proceset gjyqësore në Hagë.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Nagavci kishte thënë:

“Ne kemi pasur dyshimet dhe skepticizmin tonë. E kemi thënë këtë publikisht, edhe në takimet me PDK-në, edhe në deklaratat tona”.

Ajo kishte shtuar se mbështetja e LVV-së ishte dhënë duke u bazuar në ekspertizën e partisë propozuese, por kishte shprehur dyshime për rezultatet që mund të sillte ligji.

“Përkundër dëshirës dhe vullnetit tonë, ne dyshojmë që [ligji] do të sjellë rezultate të mëdha”, kishte deklaruar Nagavci.

Abdixhiku: “Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini?”

Kthimi i ligjit nxiti reagime edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila nuk kishte marrë pjesë në mbështetjen e tij në Kuvend.

Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, reagoi ndaj akuzave që, sipas tij, ishin drejtuar ndaj LDK-së gjatë debatit për ligjin.

“Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini? Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së”, kishte shkruar Abdixhiku.

Ai kishte përsëritur qëndrimin e partisë se ndryshimet e propozuara nuk do të kishin efektin juridik të pretenduar.

“Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik! LDK e mbajti qëndrimin e vet, duke e ditur çmimin e sulmeve që do të pasonin”, kishte deklaruar ai.

AAK kritikon mënyrën e kthimit të ligjit

Kritika për vendimin e kthimit të ligjit pati edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, e kishte cilësuar veprimin si të dëmshëm për procesin.

“Kthimin e Ligjit në Kuvend, ne si Aleancë e kemi pa si një veprim jashtëzakonisht të dëmshëm, joserioz, veprim i cili në esencë ka dëmtuar kauzën”, kishte deklaruar Tahiri.

Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte shprehur pakënaqësi për mënyrën se si ishte marrë vendimi, duke thënë se partia e tij nuk ishte koordinuar paraprakisht.

Edhe më 5 nëntor, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, kishte kërkuar që procesi të mos zvarritej dhe që të punohej për adresimin e çështjeve juridike të ngritura.

Gucati: Nuk e dimë nëse do të votohet përsëri

Pakënaqësi me ritmin e procesit ka shprehur edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, më 5 nëntor, në emisionin “Five” në TV Dukagjini, tha se procesi i rishqyrtimit po ecën ngadalë dhe se ende nuk ka siguri për votimin e sërishëm të ligjit.

“Edhe në Kuvend ky grup është bërë. Dëshira ime është që të punojnë shumë, por po e shoh që shumë ngadalë janë duke punuar. Ligji ende nuk ka kaluar në Parlament, ende nuk është shqyrtuar. Ne nuk e dimë a do të votohet apo jo. Po shpresojmë dhe besojmë”, deklaroi Gucati.

Ai kishte shprehur gjithashtu keqardhje për kthimin e ligjit, duke thënë se nuk e dinte se kush kishte marrë vendimin dhe me çfarë motivi.

“Nuk e di kush e ka kthyer. Kjo pyetje është mirë t’i drejtohet zyrës së PDK-së, se me çfarë motivi e kthyen në Parlament”, u shpreh ai.

Gucati bëri të ditur se gjatë vizitave te ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë kishte diskutuar edhe për zhvillimet lidhur me këtë çështje.

BE-ja paralajmëron për pasojat në rrugën evropiane

Përveç reagimeve të brendshme politike, ndryshimet në Ligjin për Specialen kanë tërhequr vëmendjen edhe të Bashkimit Evropian.

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, më 4 nëntor deklaroi se BE-ja është në dialog me Qeverinë e Kosovës për amendamentet që lidhen me Dhomat e Specializuara.

Ajo paralajmëroi se ndryshimet mund të ndikojnë negativisht në përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian.

“Megjithatë, ndryshimet në lidhje me Dhomat e Specializuara të Kosovës rrezikojnë të minojnë çdo përparim, por ne tashmë jemi në dialog me Qeverinë e Kosovës lidhur me këto amendamente”, deklaroi Kos.

Ky qëndrim vjen në një kohë kur BE-ja kërkon që Kosova të respektojë obligimet ndërkombëtare dhe pavarësinë e Dhomave të Specializuara.

Çfarë ndodh tani me ligjin?

Sipas procedurës parlamentare, pas kthimit nga presidentja, ligji i përcillet komisionit përgjegjës për rishqyrtim. Rregullorja e Kuvendit parasheh afat katërjavor për shqyrtimin dhe raportimin e komisionit.

Nëse ligji i kthyer miratohet sërish pa ndryshime, nevojiten së paku 61 vota të deputetëve, në përputhje me procedurën kushtetuese.

Megjithatë, mbetet e hapur çështja nëse teksti mund të ndryshohet në këtë fazë apo nëse duhet të votohet në formën e mëparshme. Kjo është një prej pikave ku janë shfaqur interpretime të ndryshme nga përfaqësuesit politikë dhe ekspertët juridikë.

Deri më 7 nëntor, nuk ka një vendim përfundimtar të Kuvendit për fatin e ligjit dhe as një version të ri të amendamenteve të bëra publike nga PDK-ja.

Kështu, nisma që u prezantua si një hap për mbrojtjen e të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së vazhdon të jetë në pritje të një zgjidhjeje parlamentare dhe juridike.

Në ditët në vijim, vëmendja pritet të përqendrohet te puna e komisionit parlamentar, propozimet konkrete të PDK-së dhe mundësia e sigurimit të votave të nevojshme për ta rikthyer ligjin në fuqi.

“Çdo i dyti po mson gjermanisht” | Mjekët…

Paga minimale kundrejt realitetit financiar: A mund t’ia…

Biznesmeni nga Drenasi dhe familja e tij shpëtojnë nga një aksident i rëndë

Pamje të frikshme nga Polonia | Qytetarët duke…

Lexo gjithashtu

Shiko të gjitha →

Shkruani një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *