Këto komente Kurti i bëri në një konferencë të përbashkët për media me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Dirk Schuebel, pas pranimit të Raportit të sivjetmë për Vendin nga Komisioni Evropian, transmeton lajmi.net.
Në fjalën e tij, Kurti ritheksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet strategjik i Kosovës, duke kërkuar që vendit t’i jepet statusi i shtetit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim.
“Megjithëkëtë, nuk mund të lëmë pa e thënë se pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron progresin që kemi bërë”, deklaroi Kurti.
Ai rikujtoi se Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, por ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.
“Përkundër kësaj, Kosova edhe më tej mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat”, tha kryeministri.
Kurti kërkoi nga Bashkimi Evropian që sa më parë t’ia dorëzojë Kosovës pyetësorin për aplikimin, në mënyrë që të hapet rruga drejt statusit kandidat dhe fillimit të negociatave.
“Ne nuk kërkojmë favorizime apo privilegje, kërkojmë vetëm vlerësime për atë që meritojmë dhe na takon”, theksoi ai.
Kurti: Raporti nuk evidenton kthim prapa në asnjë fushë
Duke folur për përmbajtjen e Raportit të Komisionit Evropian, Kurti tha se dokumenti evidenton progres në disa fusha, ndërsa sipas tij, niveli i përgatitjes së Kosovës nuk ka rënë në asnjë sektor.
“Në raportin e këtij viti niveli i përgatitjes nuk ka rënë në asnjë fushë dhe Komisioni nuk konstaton kthim prapa askund”, u shpreh ai.
Kurti veçoi vlerësimin për luftën kundër krimit të organizuar, ku tha se Kosova ka shënuar ngritje, ndërsa progres më i mirë krahasuar me raportin paraprak është evidentuar edhe në reformën e administratës publike, drejtësi, liri dhe siguri, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare, statistika, menaxhimin e fondeve të BE-së dhe lirinë e shprehjes.
Ai përmendi edhe organizimin e zgjedhjeve gjatë periudhës raportuese, të cilat, sipas tij, Komisioni Evropian i ka vlerësuar si paqësore, konkurruese dhe të menaxhuara mirë.
Në fushën e sigurisë, Kurti tha se Policia e Kosovës ka kapacitete të mira operacionale dhe hetimore, ndërsa theksoi se është rritur bashkëpunimi me policitë evropiane.
Ai përmendi edhe luftën kundër krimit të organizuar, duke bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar Policia ka shkatërruar rreth një ton e gjysmë narkotikë dhe ka konfiskuar mbi 1 mijë e 900 armë.
Korrupsioni dhe drejtësia, Kurti pranon vërejtjet e Komisionit Evropian
Sa i përket luftës kundër korrupsionit, kryeministri tha se raporti evidenton rritje të vendimeve dhe dënimeve përfundimtare në disa raste, si dhe shtim të raportimeve nga sinjalizuesit në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Megjithatë, ai pranoi se rezultatet në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë nuk janë në nivelin e duhur.
“Raporti konstaton gjithashtu se në rastet e nivelit të lartë rezultatet nuk janë aty ku duhet të jenë, dhe këtë vërejtje e marrim seriozisht”, deklaroi Kurti.
Ai tha se Qeveria synon të miratojë strategjinë kombëtare kundër korrupsionit dhe të forcojë me staf e buxhet Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Njësinë Speciale Hetimore të Policisë.
Kurti theksoi se gjykimi i rasteve është përgjegjësi e institucioneve të pavarura të drejtësisë, duke shtuar se Qeveria do t’i mbështesë ato me burime, pa ndërhyrë në punën e tyre.
Kurti përmend rritjen ekonomike, pagën minimale dhe shtesat për fëmijë
Në pjesën e fjalimit që iu kushtua ekonomisë, kryeministri tha se borxhi publik i Kosovës mbetet ndër më të ulëtit në Evropë, ndërsa rritja ekonomike është përshpejtuar në 5.4 për qind në çerekun e parë të këtij viti.
Ai përmendi edhe rritjen e të hyrave buxhetore për 8.3 për qind, si dhe konfirmimin e vlerësimit kreditor nga agjencia Fitch Rating me perspektivë stabile.
Në fushën sociale, Kurti tha se shtesat për fëmijë tashmë mbulojnë mbi 390 mijë fëmijë, ndërsa paga minimale është rritur në 500 euro nga 1 korriku i këtij viti.
Ai foli edhe për punësimin, duke veçuar skemën SuperPuna, për të cilën tha se Komisioni Evropian ka evidentuar rezultate shumë të mira.
Në arsim, kryeministri përmendi rritjen e regjistrimit të fëmijëve pesëvjeçarë në arsimin parafillor në 87 për qind, zgjerimin e arsimit dual dhe rritjen e buxhetit për kërkime shkencore për 35 për qind.
Bllokada institucionale e ngadalësoi ritmin e reformave
Kurti pranoi se periudha raportuese ka qenë sfiduese për shkak të bllokadës institucionale në Kuvend, e cila, sipas tij, ka ndikuar në ngadalësimin e reformave.
“Për shkak të saj u vonua ratifikimi i marrëveshjeve të Planit të Rritjes, u vonuan reformat në financat publike dhe shumë ligje mbetën në pritje”, tha ai.
Sipas Kurtit, në disa fusha progresi i këtij viti është më i ngadalshëm krahasuar me vitin paraprak, por kjo nuk nënkupton se Kosova ka shënuar regres.
“Nuk kemi rënë në nivel, por kemi ecur më ngadalë pasi Kuvendi u mbajt i bllokuar”, u shpreh kryeministri.
Ai bëri të ditur se Qeveria synon të miratojë një sërë ligjesh që lidhen me sistemin e drejtësisë, punën, sigurinë në punë, komunikimet elektronike, sigurinë kibernetike dhe prokurimin publik.
Në fund, Kurti ritheksoi se Kosova do të vazhdojë me reformat, pavarësisht sfidave, duke theksuar se ato janë të rëndësishme para së gjithash për qytetarët.
“Ne do të vazhdojmë me reformat, sepse i bëjmë para së gjithash për qytetarët tanë ato, dhe e dimë se rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kalon pikërisht nëpërmjet reformave”, përfundoi Kurti.
Natë që s’do harrohet për ekipin e Fenerbahçes,…
I PAPËRMBAJTSHËM! VEDAT MURIQI ia tund rrjetën Liverpool-it,…
FANTASTIKE! Lojtari i Shqipërisë, Stavro Pilo i shënon…
Ramadani kritikon Ministrinë e Sveçlës për kushtet e…
