Modelja e njohur shqiptare, Angela Martini, ka bërë publikisht të ditur ndarjen e saj nga bashkëshorti biznesmen rumun, Dragos Savulescu. Nëpërmjet një komunikimi të sinqertë në rrjetin social Instagram, Martini konfirmoi përfundimin e marrëdhënies së tyre, duke vënë theksin te mirëqenia e djalit të tyre, Kyree, si përparësi absolute.
“Pas një kapitulli shumë domethënës së bashku, marrëdhënia jonë ka marrë fund. Djali ynë mbetet dhurata më e madhe e kohës sonë së bashku dhe lumturia e mirëqenia e tij do të jenë gjithmonë në vend të parë”, shkroi modelja.
Angela Martini i uroi ish-partnerit të saj të gjithë lumturinë dhe kërkoi respektim të privatësisë së familjes në këtë periudhë të ndjeshme. “I uroj Dragosit gjithë lumturinë. Ju falënderoj për mirësinë dhe për respektimin e privatësisë sonë”, shtoi ajo.
Kjo deklaratë vjen pas disa raportimeve dhe spekulimeve. Në tetor 2025, mediat raportuan për një kërkesë divorci nga ana e Angelës pas tetë vitesh martesë, duke përmendur dallime të papajtueshme. Megjithatë, në fillim të vitit 2026, dyshimet për një ribashkim u shtuan pasi çifti u shfaq sërish bashkë në rrjetet sociale.
Angela dhe Dragos u martuan në dhjetor 2017 dhe kanë një djalë së bashku. Konfirmimi i ndarjes nga modelja jep fund dilemave të vazhdueshme rreth statusit të marrëdhënies së tyre dhe sinjalizon një kapitull të ri për të dy.
