Në një lëvizje strategjike për të ringjallur rezultatet dhe për të forcuar mbrojtjen, KF Dinamo i Ferizajt ka njoftuar sot rikthimin e portierit me përvojë, Aleksandar Igeski.
Portieri 34-vjeçar, i cili më parë ka luajtur për disa klube të njohura të Maqedonisë së Veriut si Vardari, FK Shkupi, Tikveşi, Lokomotiva dhe Metalurg Shkupi, do t’i bashkohet sërish ekipit ferizajas.
Ky rikthim vjen në një moment delikat për Dinamon, e cila kohët e fundit ka humbur kreun e tabelës në Ligën e Parë dhe ka kërkuar përforcime për të adresuar dobësitë e vërejtura në fazën e fundit të lojës.
“Dinamo Ferizaj njofton rikthimin e portierit Aleksandar Igeski, 34-vjeçar, i cili sërish do të jetë pjesë e skuadrës sonë. Gjatë karrierës së tij, Igeski ka qenë pjesë e disa klubeve, përfshirë Vardarin, FK Skopjen, Tikveşin, Lokomotivën dhe Metalurg Skopjen, duke krijuar përvojë të vlefshme në futboll. Me rikthimin e tij, Dinamo fiton sërish përvojën dhe cilësitë e një portieri që njeh ambientin e klubit dhe do të jetë i gatshëm të japë kontributin e tij për objektivat tona,” thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Me këtë nënshkrim, Dinamo shpreson të rikthehet në rrugën e fitoreve dhe të luftojë për pozitat më të larta në ligë.
