Pas ndarjes me ish-trajnerin Michalis Kakiouzis, klubi i basketbollit Peja ka zyrtarizuar emrin e trajnerit të ri që do të udhëheqë skuadrën. Bëhet fjalë për specialistin malazez, Bosko Radovic.
Radovic, i lindur në vitin 1979, është një emër i njohur në arenën e basketbollit evropian, jo vetëm si ish-lojtar, por sidomos për punën e tij si trajner. Gjatë karrierës së tij, ai ka punuar krah trajnerëve të njohur të shkollës ish-jugosllave, si Bogdan Tanjevic dhe Dusko Vujosevic, duke grumbulluar përvojë të çmuar.
Një arritje e veçantë e 47-vjeçarit është drejtimi i kombëtares së Malit të Zi për gjashtë vite, periudhë gjatë së cilës ka shënuar suksese të dukshme. Ai arriti të kualifikojë Malin e Zi në fazën “TOP-16” të Eurobasket 2022 dhe më pas siguroi edhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike.
Para se të merrte drejtimin e ekipit pejan, Radovic ka drejtuar skuadrën kineze Guandong Southern Tigers. KB Peja, në njoftimin zyrtar, e ka përshkruar atë si “një nga emrat e njohur të basketbollit Evropian, me përvojë të çmuar në garat më të rëndësishme ndërkombëtare.”
Ky ndryshim në stolin e Pejës vjen pas një periudhe sfiduese për skuadrën. Pasi e nisi stinorin me dy fitore, përfshirë një kundër kampiones aktuale Trepça, “shqiponjat” pësuan tri humbje radhazi, duke detyruar klubin të marrë masa, të cilat përfshinë largimin e dy lojtarëve të huaj dhe të trajnerit të mëparshëm.
