Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar fuqishëm ndaj përshkallëzimit të dhunës dhe dëmtimit të pronës gjatë protestës së studentëve në kryeqytetin shqiptar. Në një deklaratë zyrtare, BE-ja dënoi pa rezerva aktet e dhunshme, duke theksuar se çdo formë e tillë është e papranueshme dhe se e drejta për protestë paqësore duhet të respektohet.
“Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private,” thuhet në deklaratë, duke nënvizuar se këto akte bien ndesh me vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut, të cilat BE-ja i mbron.
Duke i bërë thirrje për vetëpërmbajtje protestuesve, Delegacioni theksoi se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Ata inkurajojnë pjesëmarrësit që shqetësimet e tyre t’i shprehin në mënyrë paqësore dhe konstruktive.
“Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore,” vijon deklarata, duke vënë theks të veçantë te rëndësia e dialogut. BE-ja apelon për një dialog konstruktiv mes të gjitha palëve si mënyra më e mirë për të adresuar shqetësimet legjitime të studentëve dhe për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në vend.
