Tirana u përfshi nga tensione të forta këtë të martë, teksa protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit mori drejtim të dhunshëm.incidentet e shumta që shoqëruan marshimin sollën arrestimin e 23 personave, si dhe lëndimin e disa efektivëve policorë dhe dy gazetareve.
Situata filloi të tensionohej që në fillim, me protestuesit që hodhën vezë dhe shkruajtën me sprej në muret e ministrisë. Përshkallëzimi i dhunës u shënua kur disa pjesëmarrës shkulën kangjellat dhe morën tulla nga trotuari, duke i hedhur drejt godinës dhe duke thyer xhamat.
Protestuesit arritën të depërtonin brenda rrethimit të Ministrisë, duke thirrur sloganë dhe duke tentuar të thyenin derën e hekurt. Hedhja e flakadanëve shtoi më tej tensionin.
Pas rreth një ore, policia ndërhyri duke formuar një kordon para ndërtesës. Forcat e rendit përdorën shkopinj gome dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën, duke shoqëruar disa protestues. Ndërhyrja shkaktoi lëndime në mesin e protestuesve dhe efektivëve.
Edhe pasi u shpërndanë, protestuesit u rigrupuan dhe vazhduan demonstratën, duke hedhur shashka dhe sende të forta drejt policisë. Forcat e rendit iu kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Një grup i maskuar pengoi lëvizjen e autobotëve duke vendosur kangjellat e shkulura në mes të rrugës.
Pas shpërndarjes me gaz lotsjellës, protestuesit u zhvendosën drejt Sheshit “Skënderbej”, ku ndezën vatra zjarri dhe shkatërruan një biznes privat. Një efektiv policie u sulmua fizikisht, ndërsa një protestues u shoqërua.
Më pas, protestuesit u drejtuan drejt bashkisë së Tiranës, duke gjuajtur me gurë dhe duke thyer derën e saj. Disa prej tyre hynë brenda, por policia mbërriti shpejt dhe nisi arrestimet.
Situata mbetet e tensionuar, me forcat e policisë në gatishmëri për të parandaluar çdo përshkallëzim të dhunës dhe për të ruajtur rendin publik.
