Ylli shqiptar i muzikës pop, Dua Lipa, ka ndarë me publikun pamje nga jeta e saj private, duke zbuluar momente të veçanta nga lidhja me partnerin e saj, Callum Turner. Këngëtarja 31-vjeçare ka publikuar një album fotografish në Instagram, ku shfaqet pranë Turnert në situata të ndryshme, duke tërhequr vëmendjen e fansave.
Në një nga fotografitë, Dua shfaqet në një moment më intim, ndërsa një tjetër tregon çiftin gjatë një shëtitjeje në New York, duke pasqyruar lumturinë dhe lidhjen e tyre të fortë pas kurorëzimit të martesës në muajin maj.
Dua Lipa ka shkëlqyer edhe në eventin e Bulgari, ku u paraqit me bizhuteri luksoze dhe një stil elegant. Gjatë një interviste për këtë event, ajo foli për martesën, duke theksuar qëllimin e çiftit për të përjetuar çdo moment së bashku dhe për të krijuar kujtime të paharrueshme. “Dita e martesës ishte magjike,” është shprehur Dua, duke shtuar se ata morën dy këshilla kryesore: ta përjetonin ditën si të ftuar dhe të kërkonin vazhdimisht njëri-tjetrin mes turmës.
Këngëtarja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e balancimit mes karrierës dhe jetës personale. “Jam shumë e mirë në gjetjen e ekuilibrit mes punës dhe jetës sime personale. Kam fat që kam në krah dikë që e do punën po aq sa unë,” ka thënë ajo, duke nënvizuar mbështetjen reciproke.
Lidhur me krijimtarinë e saj muzikore, Dua ka pranuar se lumturia aktuale në jetën personale e ka frymëzuar të eksplorojë kompleksitetet e dashurisë, duke u fokusuar te “momentet e qeta dhe gjërat e vogla që e bëjnë një marrëdhënie të veçantë”, duke ndryshuar qasjen e saj nga periudhat kur krijimtaria e saj ishte më e lidhur me dhimbjen.
Edhe Callum Turner ka shprehur dëshirën për të krijuar familje me Dua Lipën, duke e cilësuar martesën si ditën më të bukur të jetës së tij. Edhe Dua ka shprehur dëshirën për t’u bërë nënë në të ardhmen, duke pranuar sfidën e gjetjes së kohës së përshtatshme për shkak të karrierës, por duke theksuar gatishmërinë për të përballuar sfidat e prindërimit.
