Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fadil Demaku, ka ngritur shqetësimin lidhur me mungesën e gatishmërisë së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe liderit të saj, Albin Kurti, për të mbështetur projektligjin e propozuar për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, e njohur ndryshe si Gjykata Speciale në Hagë.
Ky projektligj, i cili është iniciuar nga PDK-ja dhe dorëzuar në Kuvend, ka për qëllim adresimin e çështjeve kyçe që prekin të drejtat e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Demaku ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës, duke theksuar se ajo nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme për mbrojtjen e të drejtave të atyre që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë, duke e cilësuar këtë si një dështim të qeverisjes aktuale.
“Deklarata se do ta shqyrtojmë me kujdes nismën tonë ligjore, tregon mungesë të vullnetit të vërtetë. Nuk pres asgjë pozitive nga LVV-ja dhe Kurti, pasi për gjashtë vite nuk kanë kontribuar. Përkundrazi, roli i tyre ka qenë dëmprurës,” ka deklaruar Demaku.
Ai shprehu optimizëm se ndryshimi i ligjit është i realizueshëm nëse deputetët tregojnë vullnetin politik e të nevojshëm. “Gjithçka është e mundur nëse ka vullnet dhe vendosmëri. Si mund të thonë se nuk mund të bëhet një ndryshim ligji? Bëhet, por vetëm me dëshirën e partive politike dhe deputetëve,” theksoi ai.
Grupi parlamentar i PDK-së ka proceduar projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës, pas protestave të fundit kundër aktgjykimeve të dhëna ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Dokumenti i propozuar argumenton nevojën për ndryshime, veçanërisht pas vendimit të 16 shtatorit, ku UÇK-ja u cilësua si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shprehur mbështetje për këtë nismë, ndërsa LVV-ja ka deklaruar se do ta shqyrtojë nga aspekti juridik. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk ka paraqitur një qëndrim zyrtar.
