Në një intervistë emocionuese në emisionin “S’e Luan Topi”, Pastor Paulin Vilajeti ka ndarë me publikun histori të fuqishme që tregojnë përkushtimin e tij ndaj fëmijëve në rrezik. Ai ka rrëfyer dy raste shokuese nga puna e tij pranë shtëpisë së fëmijës që ka themeluar, duke lënë pa fjalë moderatorin Erjona Rusi dhe audiencën.
Vilajeti tregoi fillimisht për shpëtimin e një djali të vogël në Berat. Foshnja ishte braktisur në bregun e lumit nga nëna e tij, e cila madje e kishte goditur me gurë, duke e lënë aty nën bindjen se e kishte vrarë. Fatmirësisht, policia dëgjoi të qarat e foshnjës dhe arriti ta gjente, duke e dërguar më pas në kujdesin e shtëpisë së fëmijës. “E strehuam dhe tani ai është i martuar, një nga njerëzit më të njohur në Tiranë,” u shpreh Pastor Vilajeti me emocion dhe krenari.
Historia e dytë, po aq tronditëse, lidhet me një vajzë të braktisur në maternitetin e Beratit. Pasi u mor nën kujdesin e shtëpisë së fëmijës, kur ajo mbushi 17 vjeç, Pastor Vilajeti u mundua t’i gjente nënën biologjike. Pas përpjekjesh, kur arriti ta kontaktonte, nëna e mohoi ekzistencën e vajzës. Ajo këmbënguli se vajza kishte vdekur gjatë lindjes, pasi edhe hallës së saj i ishte thënë e njëjta histori. “I thashë që kishte, por ajo më tha se kishte vdekur gjatë lindjes. Halla e saj i kishte thënë se fëmija kishte vdekur,” tregoi ai me dhimbje.
Këto rrëfime të Pastor Paulin Vilajetit nënvizojnë sakrificën dhe punën e tij të palodhur për t’u ofruar një të ardhme më të mirë fëmijëve të braktisur dhe në nevojë, duke dhënë shpresë aty ku duket se nuk ka më.


